Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të industrisë kimike dhe plastike.
Nën shembullin e paketës për industrinë e regjimit të përpunimit aktiv, paketës për bujqësinë dhe agroindustrinë, paketës për turizmin që është duke i diskutuar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik po ndërmerr iniciativën për hartimin e paketës mbështetëse për industrinë kimike dhe plastike. Qëllimi i takimit ishte diskutimi me përfaqësuesit e industrisë të draftit paraprak me propozime konkrete për industrinë, propozime që do të diskutohen në vijim me përfaqësuesit e 15 institucioneve shtetërore. Ministri Ahmetaj theksoi rëndësinë që masat që do të merren te jenë të efektshme dhe të qëndrueshme, si dhe të heqin pengesat aktuale për industrinë kimike dhe plastike. “Besoj se do të kemi një pakete e cila do t’ju lejojë të kërceni në nivelin tjetër”, u shpreh Ministri.
Ahmetaj theksoi rëndësinë që, së bashku me Ministrinë e Mjedisit, të qartësohet rishikimi i listës së importeve të mbetjeve, në mënyrë që të arrihet të importohet lënda e parë për industrinë kimike dhe plastike. “Pikat e tjera do të shqyrtohen një nga një, me institucionet e tjera, pasi janë gati 15 institucione që përfshihen, do të ndjekim të njëjtën praktikë si me paketën e manifakturës. Në momentin që do të kemi qartësimin e listës, besoj se problemet e tjera janë më të zgjidhshme”, tha Ahmetaj. Përfaqësuesit e industrisë kimike dhe plastike shprehën vlerësimet e tyre për nismën e ndërmarrë nga Ministria, duke bërë dhe propozimet përkatëse që do të diskutohen me Grupin e Punës.