Tiranë – Gjykata e Lartë vendos sot për cështjen Durrës-Kukës

Me argumentin se duhet të arsyetonte vendimin, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Andi Çeliku nuk u shpreh ditën e djeshme. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, e cila do të jepte edhe përfundimisht mbylljen apo jo të kapitullit të akuzave për korrupsion në rrugën Durrës-Kukës, prokuroria ka gjetur disa argumenta të tjerë për të mbajtur gjallë këtë proces. Prokurori Artur Selmani u shpreh se vendimi i dhënë nga gjykatësja Fatmira Hajdari duhet rrëzuar, pasi ajo ka shqyrtuar një çështje që nuk është në kompetencën e kësaj gjykate, për shkak se deputeti Lulzim Basha gëzon imunitet dhe është Gjykata e Lartë kompetente për të shqyrtuar kërkesat e bëra prej tij. Një tjetër argument që solli në vëmendje të Kolegjit Penal prokurori Selmani, ishte dhe fakti që gjykatësja Hajdari nuk gëzonte kushtet të shqyrtonte këtë çështje, pasi edhe sikur të ishte në kompetencë të gjykatës së Tiranës, kërkesa e Bashës duhet të shqyrtohej nga gjyqtari Sokol Tona, i cili kishte dhënë një vendim lidhur me kërkesën penale të bërë nga ish-zv/ministri i Transporteve, Armand Teliti dhe ish-drejtori juridik i këtij institucioni, Andi Toma. Prokuroria kërkoi përfundimisht prishjen e dy vendimeve të gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit, duke hapur rrugë për nisjen e hetimeve të reja. Por avokati Zef Nikaj, që mbron interesat e shefit të diplomacisë shqiptare, u shpreh se procesi është nul, pasi kolegji penal i kryesuar nga Spiro Spiro, u ka dhënë përgjigje të gjitha kërkesave të prokurorisë.

Advertisement