Vizitën e tij të parë në rolin e ministrit të jashtë të Kosovës, Hashim Thaçi e zhvilloi në Shqipëri.
Fillimisht Thaçi u takua me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati, me të cilin mbajti edhe konferencën e vetme për shtyp. Dy diplomatët u fokusuan në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht kundër terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm. Për rekrutimin e radikalëve islamik, dy zyrtarët thanë se do ndërmarrin hapa konkrete kundër këtij fenomeni shqetësues. Një vit nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren, dy kryediplomatët paralajmëruan takimin e radhës në mesin e muajit Mars për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve. Ministri Bushati tha se takimi me homologun kosovar shërbeu për të vënë në peshore arritjet dhe elementët e rinj që duhet të adresohen që nga mbledhja e Prizrenit më 11 Janar të një viti më parë. “Uroj për një punë të mbarë e të frytshme jo vetëm zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, por edhe kryeministrin e ri të Kosovës, Isa Mustafa, i shpreh mbështetjen e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim edhe më të thelluar në këtë vit që po hyjmë. Patëm mundësi për të bërë një bilanc të shpejtë arritjeve dhe elementëve që duhet të adresohen më mirë që nga mbledhja e Prizrenit më 11 janar 2014, dhe të përgatisim edhe një plan të shkurtër aktivitetesh që do t’i paraqesim mbledhjes së radhës që do të jetë takimi i dytë mes qeverive tona. Gjithashtu patëm mundësi të diskutojmë në lidhje me zhvillimet në rajon. Viti që mbyllëm ishte një vit i suksesshëm me një pozicionim të qartë të Shqipërisë në rajon. Diskutuam hapat që duhet të ndërmarrin dy vendet nga procesi i Berlinit në Konferencën e Vjenës, aq më tepër që edhe Shqipëria ka drejtimin e disa nismave rajonale që do të përdoren në funksion të integrimit tonë të përbashkët”, u shpreh ministri Bushati. Në lidhje me fenomenin e rekrutimit të xhihadistëve në Shqiperi e Kosove, të dy ministrat vunë theksin tek bashkëpunimi mes vendeve në disa fusha, qoftë edhe në atë të shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, në parandalimin e fenomenit. Duke iu referuar kosovarëve që lënë vendin për të kërkuar azil në vendet perëndimore, ministri Bushati tha se liberalizimi i vizave do ta kishte ndihmuar Kosovën, dhe se ky proces sipas tij është i vonuar. “Ne besojmë e mbështesim pikëpamjen që jetësimi i liberalizimi të vizave është proces i vonuar që duhet të kishte ndodhur. Ky proces u vërtetua që ishte histori suksesi për vendet e Ballkanit perëndimor”, tha ministri Bushati. Axhenda e zotit Thaci vijoi më tej në takimin kokë më kokë me kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Në njoftimin për shtyp të zyrës së Kuvendit, thuhet se gjatë takimit u diskutua për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kontributin që mund të japin parlamentet respektive. Më pas zëvendëskryeministri Thaçi u takua edhe me kryeministrin Edi Rama. Mësohet se takimi u përqendrua në ecurinë e axhendës së përbashkët të projekteve mes dy vendeve, dhe përgatitjen për takimin e dytë mes dy qeverive. Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Thaçi theksuan angazhimin dhe përkushtimin e ndërsjellë të dy qeverive për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në sektorë për të cilët janë dakordësuar projekte të rëndësishme si në arsim, infrastrukturë, dogana, etj, si dhe shprehën vullnetin për hapësira të reja bashkëpunimi. Në takim u bisedua ndër të tjera edhe për zhvillimet në rajon. Gjatë vizitës në Tiranë ministrit të Jashtëm Thaci iu dha çmimi Doctor Honoris Causa nga Universiteti publik i Tiranës, “Për kontribut te shquar në lirinë e popullit te Kosovës” si dhe “për reformat integruese drejt familjes euroatlantike.”