Në anijen “Norman Atlantic”, të përfshirë nga flakët që prej mëngjesit të djeshëm vazhdon operacioni i shpëtimit, ku bilanci i fundit flet për 310 persona të shpëtuar dhe 168 janë ende në bordin e anijes, mbi të cilën ndodhet tani edhe personeli mjekësor.
Sipas Agjencisë së lajmeve italiane “TGcom.24″, prefekti i Barit Antonio Nunziante bën të ditur se ka mbërritur në portin e Brindisit një anije me 49 pasagjerë. Sipas Nuziantes mes tyre janë dhe tre fëmijë. Pasagjerët janë shqiptarë, grekë dhe 2 klandestinë, ndërsa ka nisur operacioni i zbarkimit të tyre në breg. Operacioni për shpëtimin e personave të ndodhur në anije ka vazhduar gjatë gjithë natës. Anija “Norman Atlantic” u përfshi nga flakët mëngjesin e 28 dhjetorit. Në anije ndodheshin 466 persona. Shumë anije i janë përgjigjur kërkesës për ndihmë të “Norman Atlantic” dhe rreth orës 7:00 GMT, 55 persona ishin transferuar në një anije tjetër, ndërkohë 150 të tjerë ndodheshin në një varkë shpëtimi. Zjarri mendohet se ka filluar në parkingun e veturave, që mban rreth 200 makina. Por shumë shpjet flakët përfshinë të gjithë anijen. “Norman Atlantic” kishte lënë dje portin grek të Petras në orën 3:30 GMT në drejtim të portit italian të Ankonas dhe kishte dërguar një sinjal ndihme kur ndodhej 33 milje detare larg ishullit të vogël grek të Otonoit