Tiranë – Ruci, qeveria ka premtime te pambajtura

Gjatë takimit me banorët në këtë fshat Ruci është ndalur në ato që i cilësoi premtime të pambajtura të kësaj mazhorance, “siç është dhe aksi rrugor, që do t’i mundësonte këtyre banorëve nxjerrjen e prodhimeve në treg”. “Mbi 40 % e territorit të vendit, ku jo vetëm mjeku që nuk ekziston, por as emri i infermieres”, – tha Ruçi. Kurse premtoi se në 4 vitet e ardhshme, Shqipëria do të mbulohet me shërbimin shëndetësor, me mjekun dhe infermierin, si dhe çdo komunë me qendër urgjence. “Për sa i takon rrugës, unë brënda kësaj jave e kam bërë dy herë, kurse ju përditë. Do pyesja këta politikanët e mazhorancës, dhe pikërisht Lulëzim Bashën që flet për investime të kësaj mazhorance në çdo komunë: A e di ku bie Cakrani? Sa banorë ka? Se si është infrastruktura në Cakran? Por s’ka se si e di, sepse para 4 vjetësh, ne i lamë në tryezën e Parlamentit një projekt të përfunduar me 3.5 mln euro nga një kompani franceze. Ne i lamë thjesht një marrëveshje për ratifikim në Parlament për 2 minuta, me 70 mln euro të dhëna nga BERZH për autostradën Levan-Tepelenë, që do të kalonte në Cakran dhe Gorishovë, dhe toka që keni sot, do të merrte vlerë tjetër”, – ishte fjala e Ruçit mbi argumentin e rrugës. Ruci ka prezantuar në Gorishovë dhe programin e ri të PS, duke u ndalur tek dhënia e certifikatës së pronësisë të gjithë fermerëve për të bërë të mundur zhvillimin rural. “Në 4-vjeçarin e ardhshëm, Partia Socialiste do t’i japë zgjidhje një herë e përgjithmonë çështjes së pronësisë për tokën. Sot janë 11 ligje që vijnë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Sot fermerët e kanë tokën, por ende nuk kanë certifikatën e pronësisë së saj. Ja pse PS do t’i kushtojë në radhë të parë vëmëndje vendimtare çështjes së tokës, me qëllim që kushdo ta ndiej veten një herë e përgjithmonë zot në tokën e tij”, – theksoi Ruçi. Ai premtoi se PS do t’i japë një herë e përgjithmonë zgjidhje çështjeve të bujqësisë duke ngritur një ministri, jo si e sotmja e bujqësisë, por duke i gërshetuar çështjet mes pushtetit qendror dhe ministrisë së zhvillimit rural, me pushtetin lokal, për t’i dhënë zgjidhje një herë e përgjithmonë, çështjes së ujitjes së tokës, farërave dhe të gjithë inputeve bujqësore.

Advertisement