Tiranë – PS parashikon liberalizimin e vizave 6 mujorin e parë të qeverisjes

Këtë fakt e ka bërë të ditur me anë të një deklarate për shtyp deputeti i PS Taulant Balla. “Është për të ardhur keq që për asnjë moment kjo qeveri, ministrat përgjegjës dhe kryeministri i saj nuk e kanë kuptuar që vendimi i institucioneve të Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Shqipërinë varet tërësisht nga performanca individuale e secilit shtet në rajon, performancë që nënkupton përmbushje të të gjitha detyrimeve dhe standardeve, që burojnë nga Road-Map-i i Komisionit Europian” u shpreh Bala. Sipas tij vendimi për liberalizimin e vizave lidhet drejtpërsëdrejti me rezultate konkrete në pajisjen e qytetarëve shqiptarë me dokumente identifikimi të sigurt, kontroll të integruar të kufijve, rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. “Por, shqiptarët e dinë sot se ne vazhdojmë të vuajmë haraçin e vizave për shkak të korrupsionit të Sali Berishës, të familjes dhe oborrtarëve të tij. Në këtë vend nuk mund të këtë rezultate konkrete dhe të besueshme në luftën kundër korrupsionit, kur vetë kryeministri përmes të vetëve dhe këshilltarëve është i zhytur kokë e këmbë në pisllëqe dhe pazare kriminale e trafiqe” shtoi më tej deputeti i PS, Balla. Ai shtoi se “PS garanton se në Programin e saj qeverisës, ka parashikuar hapa konkretë që përmbushin detyrimet për liberalizimin e vizave brenda 6 mujorit të parë të qeverisjes”.

Advertisement