Sipas tij, Shqipëria është në të njëjtën rrugë që ka kaluar edhe Presidenca Çeke. “Nuk është sepse presidenca çeke e mori këtë hap vetëm sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga përparësitë e saj, por ne besojmë se gjithsecili vend që i plotëson këto kritere mund të bëhet pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ndër të tjera Topolanek. Sipas kreut të qeverisë çeke, Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe marrëveshja e ratifikimit të Stabilizim-Asocimit u bë në 18 maj, prandaj sot arriti dita që Shqipëria të dorëzojë kërkesën për aplikim. “Pas këtij momenti, do të nisë procesi i plotësimit të standardeve. Ky aplikim do të kalojë në duart e Havier Solanës dhe besojmë se kjo kërkesë mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme të BE-së”, shtoi Topolanek. Duke përfunduar, ai tha se para Shqipërisë ka ende punë për të bërë për të përfituar statusin e plotë të kandidatit. “Besoj se Shqipëria po futet në periudhën afatmesme dhe ëndrra e këtij vendi të ish-sistemit totalitar për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian ka për t’u bërë realitet”.