Kryeministri Edi Rama vizitoi sot sipërmarrjen “Xherdo” Shpk, në Maminas, e cila merret me grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e bimëve medicinale aromatike.

“Xherdo” shpk është përfitues i skemës “Mbështetje 50% e Investimit”, ku nëpërmjet bashkëfinancimit ka realizuar rikonstruksionin dhe ngritjen e kapaciteteve grumbulluese, magazinuese dhe përpunuese të bimëve medicinale të prodhuara dhe mbledhura nga fermerët vendas. Kjo firmë bashkëpunon me 2500 mbledhës dhe fermerë për bimët aromatike-mjekësore, një rrjet me furnizues për bimë medicinale aromatike, që shtrihet në të gjithë qarqet e Shqipërisë. Xherdo shpk ka një rrjet me furnizues me bimë medicinale aromatike në të gjithë qarqet e Shqipërisë. I shoqëruar në këtë vizitë nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtoresha e AZHBR Suela Popa, Kryeministri Edi Rama pa nga afër pajisjet e reja teknologjike të mundësuara nga skemat e mbështetjes financiare. Në bisedë me drejtuesit, Kryeministri theksoi se politika e re për bujqësinë ka hapur një kapitull krejt të ri, duke mbyllur përgjithmonë lojën e subvencionimeve vetëm për mbijetesë dhe korrupsion. “Do të jetë një periudhë e ndërmjetme deri sa të kalojë tek të gjithë mesazhi i politikës tonë të re për fshatin dhe për zhvillimin e bujqësisë, të blegtorisë dhe zhvillimin rural në tërësi. Ne e kemi mbyllur me lojën e subvencionimeve lart e poshtë, pa fatura, pa llogari dhe pa asnjë vlerë të shtuar, por vetëm mbijetesë dhe korrupsion. Kemi hapur një kapitull të ri.” Teksa garantoi se qeveria do të jetë gjithnjë një krah mbështetës i zhvillimit të sipërmarrjes në fshat, Kryeministri ftoi investitorët që të jenë korrekt në procesin e punës së tyre, duke iu kundërvënë informalitetit dhe prerë rrugën abuzimeve. “Do mbështesim rritjen dhe fuqizimin e sipërmarrjes në fshat, sepse duke mbështetur investime të tilla, ne rrisim në mënyrë eksponenciale punësimin. Janë 2500 vende pune që garantohen me këtë investim, pasi është një zinxhir i tërë. Por nga ana tjetër, mesazhi po ashtu është i qartë që kush do naftën pa akcizë, kush do ulje të TVSH-së për farërat, pesticidet e kështu me radhë, thjesht e vetëm duhet të bëjë një gjë, duhet të ketë faturat në dorë. Në momentin që ka faturat, i merr të gjitha këto. Ne jemi tërësisht korrektë në raport me gjithë sektorin, sepse çfarë jemi zotuar e mbajmë për këdo që i përgjigjet këtij kapitulli të ri. Është një luftë e madhe në të gjitha frontet me një Shqipëri informale dhe banale, që u shty vite të tëra duke vjedhur vetveten dhe duke mos i dhënë krahë atyre njerëzve që realisht janë pararoja, siç është rasti konkret këtu.” Kryeministri siguroi se mbështetja nuk do të ndalet me kaq dhe se financimi për skemat do të dyfishohet vitin e ardhshëm. Në bisedë me sipërmarrësin që foli për një inspektor tatimor, që indirekt ka kërkuar ryshfet, Kryeministri kërkoi bashkëpunimin e sipërmarrësve për të denoncuar çdo abuzues që kërkon të përfitojë në kurriz të tyre dhe të fermerëve. “Kemi dyfishuar financimin. Vitin e ardhshëm do të kemi dyfish financim për skemat, sepse duam ta shumëfishojmë punësimin në fshat. Përsa i përket pastaj inspektorëve të tatimeve, ne kemi ndryshuar 100% kahjen. Këtu dhe kudo ku ka një sipërmarrje, zot i vendit është sipërmarrësi. Kush troket tek dera duhet të dijë si të sillet. Por një gjë; Ju duhet të na ndihmoni! Duhet të na ndihmoni duke mos lejuar që njerëz që s’kanë lidhje fare me përpjekjen tonë të përbashkët të vazhdojnë të hanë në kurrizin tuaj dhe në kurriz të qytetarëve. Ju duhet t’i denonconi! Në ato raste që ne kemi pasur denoncime, automatikisht ata janë larguar. Kështu që, është shumë e thjeshtë.” Për ministrin e Bujqësisë Panariti, zhvillimi i sipërmarrjeve bujqësore i jep një shtysë të fortë të gjithë sektorit, prandaj dhe qeveria është e fokusuar në mbështetjen e tyre. “Jemi të fokusuar në mbështetjen e sipërmarrjes, sepse sipërmarrja jep zhvillim të gjithë sektorit. I jep zhvillim gjithë fermerëve. I jep perspektivë zgjerimit të prodhimit, por natyrisht përfshin në këtë nismë një sërë faktorësh, duke filluar nga ata që transportojnë, ata që paketojnë, ata që ambalazhojnë,” – u shpreh ministri Panariti. Ndërsa drejtoresha e AZHBR Suela Popa theksoi se këto skema kanë rezultuar të suksesshme edhe në qarqe të tjera të vendit. “Përsa i përket skemave të investimit, të cilat për herë të parë u futën sivjet, me bindje të plotë ju them që në gjithë qarqet e Shqipërisë kemi përfitues dhe kemi skema të suksesshme.”

Advertisement