Forcim bashkëpunimi mes Policisë Shqiptare dhe Xhandarmërisë Mbretërore Holandeze

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, zhvilloi një takim me përfaqësuesin më të lartë të Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës, Gjeneral Lejtnant J.A.J Hans Leijtens.

Në qendër të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Xhandarmërisë Mbretërore Holandeze, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, terrorizmit dhe menaxhimit të kufijve. Po ashtu dhe në drejtim të shkëmbimit të eksperiencave dhe të informacioneve për të qenë sa më efikas në goditjen e fenomeneve kriminale. Z.Didi njohu Z.Leijtens me të gjitha reformat, që janë ndërmarrë e po zhvillohen në Policinë e Shtetit si në aspektin organizativ, legjislativ dhe të zhvillimit profesional të burimeve njerëzore, si dhe me vizionin e organizatës për vitet në vijim, ku detyrat që shtrohen para policisë janë më madhore në kuadër të procesit të integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian. Po ashtu Z.Didi bëri dhe një panoramë të operacioneve më të suksesshme të Policisë në kuadër të luftës kundër drogës. Ndërkohë Gjeneral Lejtnant J.A.J Hans Leijtens, shprehu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe mbështetjen e prioriteteve për të realizuar sa më me efikasitet objektivat ambicioze të vendosura.

Advertisement