Tiranë – Presidenti Topi takohet me Presidentin e Rajonit të Venetos Galan

Gjatë këtij takimi, presidenti Topi theksoi rëndësinë e veçantë të marrëdhënieve shumë të mira me Italinë dhe shprehu kënaqësinë për të gjitha takimet e suksesshme në nivele të ndryshme politike. “Kjo tregon për një vullnet të përbashkët politik në marrëdhëniet midis vendeve tona dhe dëshirën, me ketë rast, për rritjen e tyre edhe me rajonin e Venetos” – u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit me presidentin e Venetos. Gjithashtu, presidenti Topi shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur drejt integrimit euroatlantik. Kreu i shtetit shtoi se bashkëpunimi midis dy vendeve, por edhe me rajonin e Venetos, do të lehtësojë projektet e përbashkëta në të ardhmen si dhe do të rrisë shkëmbimet tregtare, ekonomike, kulturore dhe shkencore. Topi theksoi se do të inkurajonte çdo iniciativë me projekte nga bizneset italiane, si dhe çdo bashkëpunim për promovimin e potencialeve turistike e njohjen e Shqipërisë, duke shprehur besimin se rajoni i Venetos mund të kontribuojë në këto drejtime, duke marrë parasysh kryesisht eksperiencën në fushën e turizmit, si një rajon shumë i vizituar nga turistë të vendeve të ndryshme. Presidenti i rajonit të Venetos në Itali, Xhankarlo Galan, pasi falënderoi për mikpritjen, vuri në pah miqësinë e fortë dhe tradicionale midis dy popujve tanë dhe rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Italisë për përmbushjen e ëndrrës integruese të Shqipërisë në familjen europiane. Gjithashtu, Presidenti i Rajonit të Venetos siguroi Presidentin Topi për vazhdimin e bashkëpunimit të gjithanshëm, kryesisht në sektorin e infrastrukturës, zhvillimit ekonomik, turizmit, kulturës etj.

Advertisement