Kreu i shtetit shqiptar ka marrë ftesë nga Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov, për të marrë pjesë në këtë Samit ku do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh dhe drejtues të lartë të 28 vendeve nga Evropa Juglindore, rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Azia Qendrore, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së, etj. Mësohet se gjatë samitit do të trajtohen disa tema kryesore si politika evropiane për energjitikën, marrëveshjet e reja ndërkombëtare në shërbim të sigurisë energjitike në rajonin ballkanik dhe në mbarë Evropën, zbatimi i projekteve për transportimin e energjisë, si dhe mundësitë e zbutjes së situatës së krizës sa i përket gazit natyror në Evropë. Gjatë punimeve të Samitit për Energjitikën, Presidenti i Republikës do të mbajë fjalën në njërën prej seancave plenare, po ashtu pritet të ketë takime me homologë të tij dhe personalitete të tjera të larta pjesëmarrëse në Samit.