Do u përgjigjem të gjitha pyetjeve!

Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës për skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga thesari i shtetit në Linzë. Kjo është hera e parë që ai paraqitet në organin e akuzës, që kur u la nga Gjykata e Lartë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Fullani shoqërohej nga avokati dhe miku i tij, Maksim Hoxha.

Për mediat ish-Guvernatori tha se ishte thirrur nga prokurori çështjes, Ramadan Troci, për vjedhjen e lekëve dhe abuzimet që dyshohet se janë kryer me 6 tenderë të BSH-së, me një dëm prej 3 milionë eurosh. “ Kam ardhur këtu për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të prokurorëve”,-tha Fullani për mediat. Hetimet ndaj tij, Ardian Bitrajt, ish-përgjegjësit të Arkës Stok në thesar, Mimoza Bruzisë, punonjëses në BSH dhe nipit të Bitrajt, Klevis Bejtja, i cili dyshohet se transportonte paratë pasi nxirreshin nga thesari, ende nuk janë mbyllur.

Advertisement

Ndërsa për 15 ish-punonjës të tjerë të BSH-së, hetimet janë mbyllur dhe ka nisur procesi gjyqësor. Mbi Fullanin rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës për zhdukjen e 713 milion lekëve nga thesari i shtetit.

Burimi: Gazeta Shqip