Popullata uli konsumin e energjisë elektrike me 15% dhe rriti 10% faturimet si reagim ndaj aksionit të OSHEE-së dhe Policisë së Shtetit. “Për këtë muaj është vërejtur një ulje e konsumit të energjisë elektrike, kjo është shumë domethënëse, është ulje në gati 15%. Do të thotë që njerëzit tregojnë më shumë kujdes me konsumin e energjisë elektrike dhe kemi një rritje të faturimit në masën 10%”. Do të thotë ka filluar legalizimi, në qoftë se do të përdor këtë term, i informalitetit në energji. Kjo e kombinuar edhe me pagesa më të larta, që shkojnë deri në vlerë 20 milionë dollarë vetëm në këtë periudhë, fillojnë dhe e sjellin sistemin në një tendencë pozitive”, raportoi dje Gjiknuri në Komisionin për Ekonominë. Tashmë, qeveria ka marrë masat duke krijuar edhe një Njësi Speciale Operacionale pranë Task-Forcës, e cila e fillon operacionin në ditët në vijim, njoftoi ministri. “Kjo njësi do të kontrollojë edhe punën e OSHEE-së, sepse bashkëpunimi shpeshherë është krejt i dukshëm mes punonjësve të operatorit të shpërndarjes dhe keqbërësve të energjisë”, tha Gjiknuri.

“Tani që flasim janë mbi 35 punonjës të Operatorit të Shpërndarjes, të cilët janë proceduar penalisht, pjesa më e madhe e tyre janë në burg, për shkak të bashkëpunimit me këta konsumatorë të paligjshëm të energjisë, as emrin konsumatorë s’e meritojnë, sepse në fund të fundit janë hajdutë të energjisë elektrike”, deklaroi ministri Gjiknuri. “Vetëm këtë vit kemi një rezultat prej 66 milionë dollarësh të grumbulluar më shumë nga pjesa e arkëtimeve, do të thotë që arkëtimet janë përmirësuar, duke arritur në një shkallë afërsisht 85%”, informoi ministri Gjiknuri. Ai kritikoi edhe politikat populiste të qeverisë së mëparshme, por, sipas tij, jashtëzakonisht dëmtuese. “Këtu mund të përmendim sidomos amnistinë që u bë në vitin 2012 për faljen e faturave, e cila solli një valë të tërë reagimi për mospagimin e faturës dhe solli që sektori të zhytej akoma më shumë në një gjendje të vështirë financiare dhe në mungesë të financave”, deklaroi Gjiknuri. Nga ana tjetër, vazhdoi Gjiknuri, kemi një reduktim humbjesh krahasuar me vitin e kaluar në një vlerë të përafërt prej 7%. “Muaji tetor pati një rekord uljesh të humbjeve dhe pa llogaritur këtu efektet e masave të fundit që kemi marrë, arriti në 34%. Shpresojmë që këtë muaj trendi të jetë akoma më shumë zbritës, do të thotë që mesatarja e këtij viti ne synojmë që të shkojmë shumë më poshtë 40% siç ka qenë plani, por të shkojmë me një mesatare te 38% apo edhe më poshtë të humbjeve në përgjithësi”, premtoi Gjiknuri. Duke e lidhur çmimin me humbjet, Gjiknuri u shpreh se, “Edhe me tarifat e reja që do të nxjerrë ERE, prapë ato nuk do mbulojnë të gjitha kostot. Për shkak të elementëve socialë shteti do të mbajë barrën, por më pak. Shpresojmë që vitin tjetër buxheti të jetë 120 milionë dollarë më pak i ekspozuar për shkak të masave radikale. Që do të thotë reduktim humbjesh me 5 për qind dhe rritje e investimeve”.

Advertisement

Burimi: Gazeta Shqip