Tiranë – Vazhdon eksporti i energjisë drejt Kosovës dhe Greqisë, është ndërprerë importi

Drejtori i përgjithshëm i KESH-it Gjergj Bojaxhi, deklaron se eksporti i energjisë po vazhdon drejt Kosovës dhe Greqisë. Falë situatës së mirë hidrike korporata ka ndërprerë që në fillim te muajit importin dhe falë reshjeve të bollshme po furnizon të gjithë vendin me energji nëpërmjet prodhimit vendas. “Situata hidrike paraqitet shumë e mirë. KESH për momentin po furnizon me energji të gjithë konsumin shqiptar dhe është duke eksportuar energji në Greqi dhe në Kosovë në kohë piku si dhe përmasimin e bilancit eksport-import të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu ndihmon edhe KESH-in nga ana financiare”- tha Bojaxhi. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it Gjergj Bojaxhi ka prezantuar edhe studimin e kryer nga kompania franceze SOGRA, për lumenjtë e Vjosës, Drinit të Zi dhe Semanit, ky është edhe studimi i parë i integruar për lumenjtë tanë në 20 vitet e fundit. Sipas kreut të KESH-it studimi do të pasohet nga projekte konkrete veçanërisht për lumin Vjosë që ka kapacitet për tu kthyer në kaskadën e dytë më të rëndësishme në vend, duke prodhuar rreth 40% të sasisë së energjisë që prodhohet nga kaskada e Drinit.

Advertisement