Tiranë – PS braktis punimet e Komisionit parlamentar të Ekonomisë

Në Komisionin parlamentar të Ekonomisë maxhoranca votoi e vetme pr/ligjin për disa ndryshime në taksat dhe tarifat vendore e cila është kundërshtuar hapur nga opozita si ndërhyrje e drejtëpërdrejtë dhe cënim i pavarësisë së pushtetit vendor. Pr/ligji parashikon vendosjen e kufijve të pushtetit vendor për taksat ndaj biznesit të vogël. Në bazë të projektit bashkitë dhe komunat nuk mund të ulin me shumë se 30% taksat ndaj biznesit, por as t’i rritin ato më shumë se 10%. Ndërkohë në komisionin parlamentar të ligjeve mazhoranca kaloi e vetme për miratim edhe pr/ligjin për gjykatën administrative e cila parashikon zgjidhjen e konflikteve mes administratës tatimore dhe doganore dhe biznesit. Opozita braktisi ditën e enjte punimet e kuvendit duke paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në asnjë komision dhe seancë nëse qeveria nuk zgjidh cështjen e kartave të identitetit. PS këmbëngul që shtetasit pa pasaportë të marrin karta falas.

Advertisement