Tiranë | Bushati: Çështja e përgjimeve do trajtohet në kanalet diplomatike

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati siguroi sot se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Gjermaninë dhe se çështja e përgjimeve do të trajtohet në kanale diplomatike.

“Garantoj opinionin publik se ne jemi në kontakte të vazhdueshme me Gjermaninë si një vend partner strategjik, sa i takon ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Shqipëria do ta trajtojë këtë çështje në kanalet zyrtare dhe diplomatike dhe besoj se këtu ndoshta nuk kam se çfarë t’i shtoj më tej asaj që ka deklaruar kancelarja Angela Merkel se ‘çështjet e sigurisë kombëtare janë çështje që gjejnë adresim në kanalet e duhura diplomatike, zyrtare dhe se asnjë prej mjeteve që përdor diplomacia në këtë drejtim nuk ka pse të jetë e përjashtuar”, u shpreh ministri Bushati. Deklarata e tij u bë sot gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkëvics, i cili ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare. Në konferencën e sotme për shtyp ministri Bushati iu përgjigj dhe interesimit të gazetarëve për lajmin e botuar në mediat serbe për vizitën e ardhshme të kryeministrit Edi Rama në Beograd, në muajin shtator. “Ne besojmë se kjo vizitë do të zhvillohet brenda vjeshtës së këtij viti, ndërsa datat dhe detajet që lidhen me të besoj se do të bëhen publike. Ju e keni ndjekur kursin tonë në rajon. Edhe në takimin e djeshëm të kryeministrave të një pjese të mirë të vendeve të rajonit, të cilët lagen nga deti Adriatik, Shqipëria ka prezantuar projekte konkrete që e thellojnë bashkëpunimin rajonal”, tha ministri i jashtëm shqiptar.

Advertisement