Ministria e Brendshme ka bërë thirrje sot për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor.

MB njofton se, “është duke ndjekur me seriozitet zbatimin e planit të masave nga ana e Policisë së Shtetit për garantimin e jetës dhe shëndetit nga aksidentet rrugore”. Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetarëve, e në mënyrë të veçantë drejtuesve të automjeteve, të bëjnë kujdes në rrugë dhe të zbatojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur çdo rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre. “Efektivi i Policisë së Shtetit është 100% në detyrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, ndërkohë që siguria e jetës nis nga përgjegjshmëria e çdo qytetari për të zbatuar rigorozisht rregullat e qarkullimit rrugor”, thekson MB. Policia e Shtetit, shton MB, “do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës me shërbime të përforcuara, për të ndëshkuar çdo shkelës të ligjit e për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo moment”. Në të njëjtën kohë, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët të kontribuojnë për sigurinë e përbashkët, duke sinjalizuar e denoncuar çdo rast të shkeljes së ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor.

Advertisement