Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është thirrur në një seancë të posaçme në Komisionin e Ekonomisë lidhur me vjedhjen e713 milionë lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe i kërkoi Prokurorisë gjithpërfshirjen e hetimit për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë si dhe shtimin e ekspertëve që të hetojnë këtë çështje. Menjëherë pas përfundimit të raportimit me dyer të mbylluara të Guvernatorit Ardian Fullani në Komisionin Parlamentar, Braçe tha se me këtë ngjarje është cënuar rëndë imazhi i Bankës së Shqipërisë, por edhe i shtetit. “Morëm një informacion të detajuar lidhur me gjithë çfarë ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë, por dhe një analizë paraprake mbi përgjegjësitë. U informuam dhe për masat e marra për të rikthyer çështjen e sigurisë. Me këtë ngjarje është cënuar rëndë imazhi i BSH-së, por më gjërë se sa imazhi i Bankës edhe imazhi i shtetit. Kemi kërkuar tolerancë zero për cilindo që është përfshirë në këtë veprimtari kriminale brenda BSH-së , duke nisur nga Guvernatori deri tek zyrtari i fundit përgjegjës në gjithë atë zinxhir të kontrollit dhe inventarizimit të vlerave monetare në BSH”, tha Braçe. Z. Braçe tha se duhen masa në tre aspektet, në aspektin administrativ, ligjor, sepse besoj, theksoi ai, se do të duhen përmirësime të rëndësishme në ligjin e BSH-së dhe në aspektin penal për të nxjerrë përgjegjësitë e plota për gjithë zinxhirin. Garantoj qartazi, theksoi Braçe, që të paktën nga raportimi që na është bërë, nuk ka asnjë lloj mundësie që vlera të jetë më e madhe se 713 milion lekë të deklaruara nga Këshilli Mbikqyrës i BSH-së.