Bazuar në përcaktimet e bëra mbi shpërndarjen e kuotave për çdo degë, rezulton se në total në këtë universitet do të pranohen rreth 1.335 studentë të rinj, të cilët do të arrijnë të shpallen fitues pas përllogaritjes së të gjithë komponentëve përbërës të Maturës Shtetërore. Vitin e kaluar në këtë fakultet ka pasur dhe disa degë të hapura, ku mund të regjistroheshin edhe ata studentë që nuk e kishin shpallur si lëndë preferenciale në formularin A2. Ndërkohë që ende nuk është vendosur nga ky universitet nëse do të bëjë kërkesë për degë të hapura, sepse shpeshherë këto degë kanë sjellë probleme për shkak se numri i regjistruesve ka qenë tepër i madh. Vendimet përfundimtare për kuotat por edhe për degët e hapura i merr Ministria e Arsimit. Brenda dy javëve të ardhshme pritet që të shpërndahet pranë shkollave të mesme formulari i listimit të dhjetë preferencave, ku maturantët duan të ndjekin studimet e larta. Plotësimi i formularit A2, në të cilin radhiten preferencat për degët e fakulteteve publike, do të nisë gjatë muajit qershor.