Kinë – Kryeministri Berisha merr pjesë në pritjen e mirëseardhjes të Forumit Ekonomik të Azisë

Kryeministrit Berisha i’u rezervua një vënd special pranë Kryeministrit të Kinës, Wen Jiabao, me të cilin Kreu i Qeverisë shqiptare do të takohet në Pekin, në datën 20 prill. Në panelet e këtij forumi, më prestigjiozi i rajonit me ekonominë ndër më të zhvilluarat në botë, u diskutua gjërësisht mbi menaxhimin e situatës pas krizës ekonomike botërore, si dhe rrugët që duhen ndjekur dhe problematikat që duhen fokusuar. Të pranishmit u ndalën në efektet e krizës ekonomike në Azi dhe hapat që rajoni duhet të ndërmarrë për të përballuar në mënyrë sa më efektive sfidat e ngritura prej saj. Në Forumin Ekonomik të Azisë marrin pjesë 12 liderë dhe ish-liderë të shquar në mes tyre ish-Presidenti i SHBA-së, George W. Bush. Gjithashtu në forum marrin pjesë drejtues të kompanive nga më prestigjiozet të rajonit dhe më gjerë si Google, Deloitte Touche, Microsoft, Tata Group, Ericsson, Royal Philips Electronics, Samsung, Toyota Motor Corporation, Këshilli Biznesit Malajzi-Kinë, etj. Në këtë forum janë të pranishëm dhe përfaqësues të grupeve bankare të fuqishëm si Bank of America Merril Lynch, HSBC Bank, Banka për Zhvillim e Azisë, Korporata e Kinës për Investime etj.

Advertisement