Kosovë – Thellohet bashkëpunimi me Republikën e Sllovenisë

Kryeministri Thaçi në takimin me homologun e tij slloven, ritheksoi mirëpritjen e investitorëve sllovenë në shtetin e ri demokratik të Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës, theksoi Thaçi ka thelluar përkushtimet për të krijuar një ambient të sigurt politik dhe ekonomik për nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë, në funksion të perspektivës së hapur për të gjithë investitorët, që synojnë tregun kosovar. Përvoja integruese e Republikës së Sllovenisë, mund të cilësohet model i suksesshëm i integrimit në institucionet veriatlantike, ka theksuar Thaçi dhe ka shtuar se Republika e Kosovës është në rrugë të mbarë për të përmbushur të gjitha kriteret e domosdoshme për anëtarësim në BE dhe në NATO. Thaçi e ka vlerësuar të rëndësishme për Kosovën, përvojën integruese të Sllovenisë. Në këtë kuadër, Thaçi dhe Pahor janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vëndeve në këtë drejtim. Në Slloveni po qëndron edhe kryetari i Kuvëndit, Jakup Krasniqi, i cili ka marrë pjesë në hapjen e punimeve të Kongresit të Lëvizjes Ndërkombëtare Evropiane dhe Lëvizjes Evropiane të Sllovenisë. Krasniqi gjithashtu ka takuar presidentin e Sllovenisë, Danilo Türk.

Advertisement