Tiranë | Veliaj: autobusët për invalidët, Kompanitë rrezikojnë liçencën

Arkiv

Inspektoriati i Punës do të kontrollojë të gjitha linjat e autobusëve që detyrojnë invalidët të paguajnë biletën dhe në ato linja që do të vërehet kjo anomali, kompanitë do të rrezikojnë liçencën.

Lajmi është bërë sot me dije nga vetë Ministri Erion Veliaj lidhur me vendimin e marrë nga Shoqëritë e Transportit Publik të cilët kanë vendosur që duke nisur nga ky të mos i njohin librezat e invalidëve. Lidhur më këtë problematikë, Ministri Veliaj deklaroi gjatë një interviste televizive se Bashkia po shkel një të drejtë kushtetuese, të cilën ligji ua njeh invalidëve si të drejtë për të udhëtuar falas. “Ajo që po bën Bashkia, duke zbritur invalidët nga autobusi, është çnjerëzore dhe e paligjshme”, tha Veliaj duke theksuar se çdo liçencë e dhënë për autobusët është firmosur nga kompanitë duke pranuar faktin se kjo liçencë jepet me njohjen e ligjit që invalidët të udhëtojnë falas. Ministri sqaroi se operatorët dhe Bashkia kanë bërë qartazi një marrëveshje që duke i bërë presion qeverisë me zbritjen e invalidëve nga autobusi, të kenë mundësi të fitojnë më shumë para. “Ata duan të marrin grante nga qeveria, si rimbursim për këta njerëz. Por, këtu ka një problem: Bileta e autobusit në Berat kushton 100 lek, ndërsa në Tiranë 300 lek. Pra, qeveria qendrore nuk mund të rregullojë çmimin e biletave për çdo bashki sepse kjo është kompetencë e këshillave bashkiakë”, theksoi ministri. Veliaj shtoi se kompanitë e kanë marrë licencën duke nënshkruar se në Republikën e Shqipërisë invalidët udhëtojnë falas ndërsa tani po mundohen të bëjnë presion me Bashkinë, për të marrë para të pamerituara nga qeveria.

Advertisement