Kryeministri Edi Rama mori pjesë në një ceremoni të organizuar në Pallatin e Brigadave në respekt të forcave të policisë që u angazhuan në operacionin në Lazarat.
Kryeministri i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe zëvendësministrja, Elona Gjebrea ka përshëndetur dhe ka takuar një nga një efektivët e policisë. Kryeminsitri Rama i cilësoi forcat e policisë si protagonistë të një historie të re të Polcisë së Shtetit. Ai i falenderoi ata për punën jashtëzakonisht të vështirë që bëjnë. Rama është shprehur se nuk kishte rast më të mire se kjo e sotmja për ta çelur rrugën e ceremonive të Pallatit të Brigadave për njerëz që arrijnë të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Duke folur për të ardhmen e Policisë së Shtetit, Kryeministri Rama u shpreh se, “nuk duhet ta kthejmë Lazaratin në një kurorë dafinash dhe më pas t’ia marrim gjumit. Lazarati tregoi se ne mundemi, por jo se kemi arritur aty ku duam të arrijmë. Ne nuk duhet të krahsohemi as me të shkuarën as me të tashmen, por me modelin më të mire të rajonit. 10 vitet e ardhshme duhet ta paraqesim Policinë e Shtetit shqiptar si një ndër policitë më të spikatura të Evropës. Kjo nuk është një utopi. Lazarati tregoi se kjo është plotësisht e mundur”. Duke folur për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, Rama u shpreh se, “Besoj se statusi i kandidatit nuk është diploma që na jep rezultatin për fundin e detyrave tona, por është çertifikata që na garanton të bëjmë detyrat tona. Të zhdukim korrupsionin dhe krimin nga Policia e Shtetit. Që çdo drejtues dhe punonjës i Policisë së Shtetit të jetojë në mënyrë të papajtueshme me korrupsionin”. Ndërsa për ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ndërhyrja në Lazarat ka të bëjë me ndryshimin e vullnetit për të bërë shtet. Sipas tij tani banorët e Lazaratit ndihen më të çliruar nga trafikantët. Tahiri u shpreh se ndihet krenar për policinë duke hapur një faqe të re në historinë e shtetit. Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka falenderuar të gjithë efektivët që morën pjesë në operacionin e Lazaratit dhe në asnjë çast nuk treguan shenja paniku. Didi vlerësoi punën e punonjësve të policisë gjatë aksionit në Lazarat, ndërsa shprehu mbështetje edhe për efektivët që po vijojnë operacionin aty.