Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave nisi shqyrtimin e projektligjit për Kodin e ri Doganor.
Projektligji u prezantua nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani. Cani tha se Kodi i ri Doganor është diskutuar me grupet e interesit. Duke paraqitur objektivat e Kodit të ri Doganor, ministri Cani shpjegoi para deputetëve se ai qartëson procedurat për biznesin dhe administratën doganore. Sipas tij me Kodin e ri Doganor hiqet komunikimi me letër mes bizneseve dhe doganave, pasi tashmë ky komunikim bëhet online. Ndër të tjera, kreu i Financave publike sqaroi se bizneset do të plotësojnë një deklaratë doganore më të thjeshtë. Ndër të tjera Kodi i ri doganor sjell unifikim të rregullave dhe praktikave, kalimi i një mjedisi doganor elektronik, pa letër, aplikimi i procedurave të thjeshtuara dhe operatorët ekonomikë të autorizuar, saktësimin e dispozitave mbi kohën dhe vendin ku lind një borxh doganor, me qëllim që të evitohen vështirësitë dhe zgjidhja juridike, mundësimi i përdorimit të një garancie të vetme globale për disa regjime dhe mbulimin e disa transaksioneve me një garanci të vetme, garantimi i çlirimit të shpejtë të mallrave, kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrollit dhe analizën e rriskut.