Kuvendi po diskuton disa ndryshime në ligjin që i jep të drejtën Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të vendosë rrogat dhe shpërblimet e punonjësve pa kufizim nga hierarkia kombëtare e pagave.
Në diskutimin e tij deputeti i PD-së, Shrefedin Shehu, tha se rritja e pagave të AMF-së vjen në një moment të papërshtatshëm, kur vendi është në krizë dhe papunësia po rritet. Sipas tij, akti ligjor rrit pagat për një grup të preferuar për qeverinë dhe kjo përbën kërcënim për administratën publike dhe pensionistët, duke paralajmëruar se për ta nuk do të ketë rritje pagash. Me këtë ligj, AMF bëhet institucioni i dytë në Shqipëri, pas Bankës Qendrore, që fiton të drejtën të shpenzojë para publike për paga, pa kufizim ligjor. Një tjetër pikë e debatuar në ligjin e ri për AMF-në është dhe ajo që ndërpret mandatet e disa prej anëtarëve të bordit ekzistues, të cilat opozita i konsideron si shkarkime politike.