Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga bashkëshortja, Lumnije Thaçi, ka votuar sot në qendrën e votimit në shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë.

Pas kryerjes së votimit, kryeministri Thaçi uroi të gjithë qytetarët e Kosovës dhe i ftoi për pjesëmarrje në zgjedhje. “Sot është një ditë e veçantë për shtetin tonë, për Kosovën, në historinë e re të vendit tonë. Në këtë proces shumë të rëndësishëm të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë. Shteti ynë është një shtet i ri evropian, i mundësive të mëdha zhvillimore, këto mundësi jemi zotuar që t’i shfrytëzojmë për të mirën e qytetarëve”, tha kryeministri Thaçi. “Uroj të gjithë qytetarët e vendit dhe ftoj për pjesëmarrje në zgjedhje, që ky proces të jetë i lirë, demokratik, për çka kam besim të plotë”, shtoi ai. “Kam besim të plotë se sot Kosova, qytetarët e saj, spektri politik, do të dërgoi mesazhin më të mirë për botën se në Kosovë demokracia është në veprim, demokracia po zhvillohet, jeta plurale po ngadhënjen. Është një betejë e konkurrencës, në të njëjtën kohë sot është ditë e veçantë, ditë historike, dita e Misionit të Ri. Faleminderit!”, deklaroi kryeministri Thaçi pas votimit.

Advertisement