Tiranë – Rektori i UT-së Kule kundër penalizimit të studentëve për paisjen me letërnjoftime

Do të jetë vetë rektorati i universitetit më të madh në vënd që do të kryejë të gjitha veprimet për blerjen e kuponëve të nevojshëm, por edhe për shpërndarjen e tyre. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, deklaroi se do të ketë statistikën se sa kuponë i duhen Universitetit të Tiranës. Numri një i këtij universiteti, gjithashtu, ka sqaruar se kuponët do t’u shpërndahen të gjithë studentëve, javën e ardhshme ndërkohë që është shprehur kundër masave ndëshkuese për studentët pa pasaportë dhe që nuk aplikojnë deri më datë 1 maj për kartat e identitetit. Për rektorin e Universitetit të Tiranës, kjo është një e drejtë e vetë universiteteve, e senateve të tyre, të vendosin nëse studentët që nuk kanë aplikuar do të futen në provime apo jo. “Sot do të kemi një statistikë se sa kupona i duhen universitetit të Tiranës dhe gjatë javës tjetër do t’u shpërndahen të gjithë studenteve. Unë mendoj se këtë vendim do ta marrim në senat dhe jam kundër idesë që me studentët do të gjejmë rrugën e penalizimit”, – ka deklaruar rektori i UT-së, Dhori Kule. Ndërkohë që po gjatë ditës së djeshme, specialistët kanë pushtuar auditoret e leksioneve, duke marrë për çdo student të dhënat nëse kishin pasaportë, nëse donin të pajiseshin me karta identiteti dhe nëse kishin aplikuar apo jo deri tani për këtë dokument. Të gjitha të dhënat për çdo student shënoheshin në një formular të veçantë.

Advertisement