Kryeministri Edi Rama siguroi çdo polic se nuk do të tradhëtohet kurrë as nga ai, as nga ministri i Brendshëm në misionin e tij fisnik, në luftën kundër krimit. “Të tradhëtosh një drejtues policie, tha ai, që bën detyrën, një polic të thjeshtë ta kthesh mbrapsht nga një operacion apo ndalim makine personash me influencë të caktuar do të thotë të ndalosh Shqipërinë të ketë të ardhme , të ndalosh që fëmijët e tu të jenë nesër të sigurtë dhe që çdo polic, kudo që të jetë, të jetë garancia e çdo fëmije e çdo prindi e çdo të moshuari.” Kryeministri vijoi fjalimin e tij duke nënvizuar faktin se kjo nuk ishte vetëm ora që Policia e Shtetit të hyjë në një fazë të re, atë të luftës me drogën dhe trafikun e drogës, por edhe ora që Prokuroria të hyjë në një fazë të re, të një marrëdhënie që është vendosur në mirëbesim dhe që është vendosur me vetëdije. Kreu i qeverisë vuri në dukje se kjo do të thotë se çdo institucion duhet të bëjë detyrën. “Nuk jemi këtu për të drejtuar institucionet e pavarura, por kemi bindjen se çdo institucion i pavarur është i pavarur nga çdo gjë, por jo nga Kushtetuta dhe nga ligji”, e vijoi Rama fjalën. Është ora, theksoi ai, që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të bëjë detyrën, sepse një popull i tërë po poshtërohet çdo ditë nëpër Gjykata dhe nga gjykatës që siç tregojnë dokumentat të bëra me dije edhe nga Presidenti dhe nga Ministri i Brendshëm, e kanë gjënë më të lehtë në botë të lëshojnë rrugëve kriminelë që ju mezi i kapni.