“Për sa kohë bankat janë të sigurta, ekonomia shqiptare nuk rrezikohet nga kriza globale” deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. “Bankat shqiptare do të jenë likuide edhe në vitin 2009, pavarësisht kushteve shtrënguese. Tashmë nuk ka arsye objektive që individët të mbajnë paratë jashtë bankave” u shpreh kreu i Bankës Qëndrore. Fullani theksoi se gjatë këtij viti, problemi kryesor i ekonomisë është mungesa e likuiditeteve, si pasojë edhe të shtrëngimit të kredive. Në këto kushte, guvernatori kërkon që të sigurohen financime nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Problemi më i madh i ekonomisë shqiptare në vitin 2009 do të jetë mungesa e likuiditetit. Shtrëngimi i kushteve të financimit dhe kriza e likuiditetit kërkon gjetjen e burimeve të reja financiare sidomos atyre të huaja. Shqipëria duhet medoemos të përfitojë nga fondi që 20 vendet më të fuqishme akorduan për FMN. Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret” theksoi Fullani.