Kukës | Themelohet Dhoma Kombëtare e Tregtisë

“Një ngjarje e shënuar në një ditë të shënuar: Themelohet Dhoma Kombëtare e Tregtisë, ide e re për një realitet të ri”. Kështu shkruan Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “Tëitter” pas themelimit ditën e sotme, në Kukës, të Dhomës Kombëtare të Tregtisë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe ‘Biznes Albania’. Të pranishëm në këtë ceremoni përveç Kryeministrit Rama ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova Lindore. Sipas një njoftimi nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, Kryeministri Rama i ka dhënë mbështetje të madhe krijimit të kësaj dhome, duke ofruar mbështetje të madhe edhe në të ardhmen. Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se ky akt mirëkuptimi për themelimin e Dhomës Kombëtare e Tregtare Kosovë-Shqipëri-Maqedoni-Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës do të fuqizojë edhe më shumë bizneset shqiptare në të gjitha trevat, thuhet në njoftim. “Kjo bëhet duke u nisur nga fakti se ekonomia kombëtare, është potencial i madh i pa shfrytëzuar nga sipërmarrësit shqiptar. Me këtë nisëm të dy qeveritë zotohen se do t’i mbështesin me prioritet iniciativat e përbashkëta si partner institucional në krijimin e një klime me miqësore për biznes”, tha Shahini. Luan Bregasi, president i ‘Biznes Albania’, tha se me ketë akt themelimi, qëllimi është rritja e bashkëpunimit të bizneseve shqiptare si fuqi e re konsumuese dhe prodhuese, të bashkojnë qëllimet e përbashkëta dhe kapitalin si një treg i fuqishëm i së ardhmes ballkanike. Institucionet nënshkrues të këtij këshilli themelues, do të kenë fillimisht 11 anëtarë që do të punojnë në komisione për t’i dhënë formë juridike statutit dhe qëllimit të kësaj iniciative të përbashkët për themelimin dhe jetësimin deri në Kuvendin e përgjithshëm për zgjedhjen e organeve udhëheqëse. Kuvendi duhet të mblidhet sapo të përgatitet statuti dhe detyrat e dala nga komisionet e përbashkëta brenda 90 ditësh nga dita e nënshkrimit. Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen nga katër anëtarë themelues. Maqedonia, Mali i Zi dhe Luginën e Preshevës do të përfaqësohen nga një përfaqësues në këshillin themelues të Dhomës Ekonomike Kombëtare. Dhoma Ekonomike Kombëtare, do të jetë e hapur për të gjithë sipërmarrësit dhe institucionet vendore dhe ndërkombëtare duke u bërë zë i fuqishëm i ekonomisë kombëtare dhe zhvillimit të saj.

Advertisement