Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj e cilësoi veprimin si pjesë të qëndrimit konstant dhe koherent të kësaj partie në mbështetje të kërkesës, për të pajisur me kartë identiteti falas të gjithë qytetarët pa pasaportë. ”Ne nuk mund të lejojmë që Sali Berisha të tallet me votën e shqiptarëve, të tallet me të drejtën kushtetuese të shqiptarëve. Deri tani qeveria ka nxjerrë tre vendime, asnjëri nga të tre nuk e ka zgjidhur problemin, por vetëm pranon gabimin e deritanishëm të qeverisë. Për sa kohë që dhe një shqiptar nuk e paguan dot këtë taskë të turpshme të varfërisë, ne do të rezistojmë paqësisht që e drejta e votës të mos cënohet. Kërkojmë të hiqet taksa e votës. Të hiqen barrierat për të ushtruar të drejtën e votës” – tha deputetja socialiste Valentina Leskaj në sallën e parlamentit, pak para se i gjithë grupi i deputetëve socialistë të largohej. Në kundërpërgjigje të kryetares së grupit PS, ministri i Brendshëm Bujar Nishani tha në parlament se procesi po ecte normalisht brënda të gjitha parashikimeve dhe i cilësoi veprimet e opozitës si “spekulime dhe lojë politike”. “Pretendimet për një rrezik të sajuar nga ana e opozitës janë tërësisht spekulim politik. Ky proces po ecën brenda parashikimeve. Të gjitha komunat e vëndit dhe bashkitë e vëndit kanë në dispozicion materialet“- tha Nishani duke dhënë shfira konkrete se në cfarë faze është procesi i aplikimit dhe pajisjes me karta identiteti. “Para dy ditësh kanë aplikuar më shumë se 512 mijë shqiptarë, pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të dekurajuar këtë proces. Mbi 400 mijë letërnjoftime janë prodhuar dhe janë shpërndarë në Zyrat e Gjëndjes Civile, në pritje për tu tërhequr nga qytetarët. Në bazë të parashikimeve deri në fund të muajit maj është e mundur pajisja e 1.5 milionë qytetarëve me karta identiteti”. Lidhur me procesin e pajisjes me karta identitetit të qytetarëve pa pasaportë sipas ministrit të Brendshëm gjithçka po ecën normalisht dhe se në qytetet kryesore procesi i aplikimit mund të jetë drejt përfundimit në fund të këtij muaji. “Vetëm në bashkinë e Tiranës, ku është dhe numri më i madh i qytetarëve që nuk kanë pasaportë, nga 80 mijë qytetarë të identifikuar si të papajisur me pasaportë, 60 mijë kanë aplikuar.”