Kukës | Thaçi: Sot kombi shqiptar më i bashkuar, dhe më i sigurt

“Sot kombi shqiptar është jo vetëm më i bashkuar, por edhe më i sigurt”, deklaroi në Kukës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë fjalës së tij në konferencën “Nga eksodi tek partneriteti strategjik”, që u zhvillua në Pallatin e Kulturës së qytetit të Kukësit me pjesëmarrjen e delegacioneve qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri Thaçi shprehu falenderimet dhe mirënjohjen për gjithë popullin shqiptar që mirëpriti vëllezërit dhe motrat kosovare në eksodin e vitit ’99. “Jemi këtu për të nderuar dhe shprehur mirënjohjen e thellë të banorëve të Kukësit dhe gjithë shqiptarëve kudo jetojnë, për mikpritjen e jashtëzakonshme që treguan ndaj kosovarëve të dëbuar . Në emër të popullit të Kosovës unë ju them sërish faleminderit që na u gjetët si askush tjetër në ato ditë të vështira”, u shpreh Thaçi. Ai tha se “në të njëjtën kohë falenderoj edhe njeriun, i cili në atë kohë udhëhoqi qeverinë e Republikës së Shqipërisë, kryeministrin e prapavijës së luftës së Kosovës , kryeministrin e Shqipërisë në atë kohë, Pandeli Majko”. Një dekadë e gjysëm më parë, vijoi Thaçi, qindra mijëra civilë të pafajshëm të Kosovës që u dëbuan në mënyrë mizore gjetën strehim e ngrohtësi tek vëllezërit e motrat në Republikën e Shqipërisë. “Kjo ndihmë bëri të mundur që këta civilë ta përballonin me dinjitet dramën që pësuan. Pamjet e familjeve kuksiane që ndanë me të sapoardhurit edhe kafshatën e fundit të bukës janë një dëshmi e paharrueshme e fisnikërisë së këtij populli. Eksodi ishte një sprovë e madhe për gjithë kombin tonë dhe që të gjithë e kaluam me sukses pa stuhi duke demonstrurar solidaritet të pakrahasueshëm dhe një unitet kombëtar të fuqishëm”, theksoi Thaçi. Kryeministri kosovar nënvizoi se “Republika e Shqipërisë pak ditë më parë festoi 5 vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe shpresojmë se shumë shpejt do ta marrë statusin e merituar të vendit kandidat në BE . Po ashtu Kosova sapo ka filluar krijimin e Forcave të Armatosura, ka fituar statusin e vëzhguesit në asmablenë e parlamentare të NATO-s dhe është e vendosur për të ndërmarrë me shpejtësi reformat e duhura për të arritur standardet e nevojitura për t’u bërë pjesë e aleancës veri- atlantike”. Kreu i qeverisë kosovare shprehu gjithashtu ngushëllimet më të ngrohta për familjet e shumta të atyre që humbën njerëzit e dashur gjatë atij eksodi, të cilëve tha ai u gjendemi afër në përkujtimin e të afërmve të tyre. Duke folur për arritjet e Kosovës në këto 15 vite pas luftës, Thaçi tha se “ky është një moment i rëndësishëm për të bërë një reflektim në arritjet e Kosovës në këto 15 vite. Pas eksodit ne ia dolëm të fitonim lirinë, falë gjakut të ushtarëve të UÇK-së , mundimit dhe durimit të popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë. Falenderim i veçantë për SHBA-të, vendet e BE-së dhe NATO-n “. “Në pak vite kohë shteti i Kosovës përmbylli me sukses procesin intensiv të shtet ndërtimit, ne po ashtu kemi nisur një udhëtim të sigurtë drejt integrimit euroatlanitk. Jemi krenarë sot të themi se Kosova gjendet e gatshme dhe i ka të gjitha potencialet për t’i bërë ballë sifidës së re të madhe që ka përpara asaj të zhvillimit ekonomik. Kosova sot është një shtet model përsa i përket respektimit të të drejtave te njeriut, është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe shumë shpejt ka për të qenë partnere dhe kontribuese në nismat e ndryshme humanitare dhe ndërkombëtare”, tha Thaçi. Kryeministri Thaçi nënvizoi se “politikat genocidale dhe pastrimi etnik që iu bë popullit tonë nuk ishin thjesht krime ndaj kombit tonë, por ishin krime kundër mbarë njerëzimit, kjo ishte arsyeja se pse e gjithë bota që beson në të drejtat themelore të njeriut u solidarizua me kauzën tonë dhe na ka mbështetur në të gjitha etapat e sipërmendura. “Duke kujtuar edhe krimet e tjera ndaj popullit tonë ne nuk duam të kultivojmë urrejtjen, por duam të bëjmë të qartë të vërtetën historike. Prandaj në këtë ditë theksojmë qartë se populli ka qenë në rrugën e duhur dhe të drejtë, se lufta jonë ishte e drejtë, çlirimtare, e ndershme dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë”, tha Thaçi. Kryeministri kosovar u shpreh gjithashtu se “i jam mirënjohës qeverisë së kryeministrit Rama dhe gjithë zyrtarëve që janë angazhuar për organizimn e këtij aktiviteti dhe që kanë bërë të mundur që kjo ditë të përkujtohet ashtu siç e meriton”.

Advertisement