Ky vendim merret në kuadër të fondit të ekselencës për të mbështetur studentët shqiptarë me rezultate të shkëlqyera, që arrijnë të pranohen në universitetet më të mira të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha nivelet e studimit, diplomë e nivelit të parë, Master dhe Doktoraturë. Studentët që do të përfitojnë nga kjo nismë e qeverisë shqiptare do të kenë detyrimin të kontribuojnë në Shqipëri, për një periudhë 7-vjeçare. Ky detyrim i fundit bëhet në mënyrë që truri shqiptar të mos emigrojë, por të kthehet në atdhe dhe të kontribuojë me dijet e nxëna. Shkak për një vendim të tillë mësohet se nuk është bërë thjesht përvoja ndërkombëtare e atyre që konsiderohen si “studime me kontratë”, por edhe braktisja e vëndit nga intelektualët që studiojnë jashtë vëndit dhe më pas nuk preferojnë të kthehen.