Ministri i Punëve të Brendshme, Saimi Tahiri deklaroi se qeveria ka miratuar disa ndryshime në ligje që përbëjnë një kuadër rregullator, disiplinues për një sërë rrethanash që shqetësojnë shoqërinë, me qëllim për të siguruar më shumë siguri, inovacion dhe progres. Ministri Tahiri u shpreh se, “sot qeveria me kërkesë të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrit të Punëve të Brendshme ka miratuar disa ndryshime në Kodin Penal që do i shkojnë për miratim Kuvendit sa më shpejt dhe që lidhen kryesisht me çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike, ashpërsimin e masave të dënimeve që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse dhe shitjen apo rishitjen e kartave SIM të telefonave në mënyrë të paautorizuar, si dhe përcaktimin e kufirit minimal të dënimit për shkelësit e rregullave qarkullimit rrugor”. “Ne synojmë që përmes këtyre masave në Kodin Penal të ndikojmë fort në parandalimin e këtyre fenomeneve dhe rritjen e ndëshkueshmërisë për të gjithë shkelësit”, tha Tahiri. Më konkretisht, vijoi Tahiri, “ndryshimi në Kodin Penal me propozim të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë lidhur me vjedhjen e energjisë elektrike, ose impulsive telefonike, neni 137, synon të adresojë vjedhjen masive të energjisë elektrike qoftë nga subjektet privatë, qoftë dhe nga sipërmarrësit, duke e parashikuar këtë të fundit si rrethanë cilësuese”. “Për ndryshimet e propozuar nga Ministri i Brendshëm lidhur me lëndët plasëse, kjo referuar edhe shqetësimit publik, vjen si analizë e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme, që jo vetëm ka marrë në shqyrtim faktorët kriminal, por ka marrë në shqyrtim edhe përdorimin, shpesh abuziv, për qëllime civile të lëndëve plasëse. Kemi propozuar dhe qeveria miratoi sot ndryshimet në nenet 278 dhe 282 të Kodit Penal i pari për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake dhe municioneve duke parashikuar që masa e dënimit të shkojë nga 5-8 vjet burg, dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet, pra në rastet kur lëndët eksplozive mbahen, transportohen, trafikohen për qëllime kriminale”, tha Tahiri. Ndërkohë vijoi Tahiri, “kemi propozuar ndryshimin e nenit 182 që është shkelja e rregullave të përdorimit të eksplozivit për qëllime civile, bëhet fjalë kryesisht për përdorim në fushën minerare, apo një sërë aktivitetesh të tjera industriale, ku kërkohet përdorimi i eksplozivit. Pas një kontrolli të detajuar që kemi bërë në magazinat e mbajtjes së eksplozivit dhe tek të gjitha subjektet e liçencuara për import dhe për përdorim për qëllime civile të eksplozivit. Pas shkeljeve të vërejtura , por edhe pas konstatimit që në Kodin Penal shkeljet teknike për mbajtjen, tregtimin, përdorimin për qëllime civile të eksplozivit njeh sanksione fare minimale kemi propozuar që sanksionet të bëhen me burg nga 2-5 vjet dhe në rrethana cilësuese të shkojnë deri në 10 vjet burgim”. Ndërkohë, tha Tahiri, kemi propozuar amendimin e nenit 291 të Kodit Penal lidhur me sigurinë rrugore. Kjo është një nga pikat e paketës së masave të prezantuara bashkë me Ministrinë e Transportit për të garantuar më shumë siguri rrugore dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve”. “Kemi propozuar që në neni 291 të riformulohet ku të theksohet se drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet me burgim nga 10 ditë minimum deri në 3 vjet”, tha Ministri Tahiri, duke shtuar se, “mendojmë që kjo masë do të ndikojë patjetër në rritjen e sigurisë rrugore për qytetarët”. “Policia që nga tetori e këtej ka ndjekur politikë ashpërsuese lidhur me sanksione e shkelësve tërregullave të qarkullmit rrugor në rastet e dretjimit të mjetit në gjendje të dehur, nën ndikimin e lëndëve narkotike, apo pa dëshmi aftësie (patentë)”. “Kemi konstatuar se jo me të njëtin ritëm janë përgjigjur dhe instancat e tjera të dhënies së drejtësisë, ndaj menduam si zgjidhje definitive vënien para kushteve minimale të parashikuara në Kodin Penal për dënimin e shkelësve të kësaj dispozite”, tha Ministri Tahiri. Ministri Tahiri theksoi se, “i njëjti dënim, duke filluar me dyshemenë minimumi 15-30 ditë parashikohet edhe për shitjen e paautorizuar ose rishitjen e kartave SIM teefonike, që është siç e dini është përfshirë në paketën e sigurisë lidhur me ngjarjet që kohët e fundit, por dhe në tërës gjatë këtyre viteve kanë shqetësuar opinionin publik, por që janë bërë më pas ndihmës për ngjarje kriminale akoma më të rënda”.

Advertisement