Tiranë | Meta: Opozita, qasje jo konstruktive ndaj parlamentit

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e konsideroi qasje jo konstruktive sjelljen e opozitës javët e fundit në Kuvend, duke theksuar se kjo po krijon tensione të panevojshme. Meta i pyetur nga gazetarët në lidhje me replikat e djeshme në parlament mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama, theksoi se opozita prej disa javësh po ndjek një qasje jo konstruktive në parlament. “Shpreh keqardhjen time që prej disa javësh opozita po ndjek një qasje jo konstruktive. Kjo, jo vetëm që nuk është në interes të mbarëvajtjes së Kuvendit, si institucion i përbashkët, por nuk është as në interes të opozitës, si një forcë e rëndësishme për demokracinë parlamentare dhe që duhet të respektojë pritshmëritë e qindra qytetarëve që kanë votuar për PD-në dhe opozitën”, u shpreh Meta. Sipas tij ka një interes të vazhdueshëm në emër të demokracisë dhe në emër të rregullores për të bllokuar funksionimin normal të Kuvendit. “Ju e dini se për çështje jashtë rendit të ditës ka një kohë të kufizuar që deputetët duhet të regjistrojnë emrin dhe të shprehin pikëpamjet e tyre. Por, asnjë deputet i opozitës nuk regjistrohet për të diskutuar jashtë rendit të ditës, por të gjithë kërkojnë me insistim për të bllokuar punimet dhe bllokimin e seancave plenare dhe të ndërhyjnë jashtë rendit të ditës”, theksoi Meta. Ai nënvizoi se opozitës askush nuk ia ka mohuar të drejtën të shprehet, edhe jashtë kohës që e përcakton rregullorja. “Por, kjo qasje e gabuar po e fut në një qorrsokak ecurinë në Kuvend, duke sjellë tensione të panevojshme, ndërkohë që ekzistojnë të gjitha hapësirat që të gjitha çështjet të adresohen në mënyrë normale”, tha kryetari i Kuvendit, ndërsa u shpreh se shpreson të ketë një reflektim për të ardhmen. “Unë jam i hapur të bashkëpunoj me opozitën, por ky bashkëpunim mungon, fatkeqësisht, nga lidershipi opozitar”, vërejti Meta.

Advertisement