Të gjitha këto kategori do ta blejnë letërnjoftimin me 200 lekë deri më 15 qershor, por skema e blerjes është e ndryshme. Për personat me ndihmë sociale dhe ekonomike kuponat do t’i blejë të gjitha komuna ose bashkia dhe pas paraqitjes së faturave kësaj kategorie do t’i mbahet 200 lekë. Për studentët kuponat do t’i blejnë fakultetet dhe me marrjen e kuponit do të japin edhe këta 200 lekë. Sanksionet për studentët lidhen me provimet, pasi nuk do të hyjnë në to, pa paguar për kartat. Për pensionistët e fshatit dhe ata me pension minimal në qytet më 1 maj bashkë me pensionin do të marrin dhe 1 mijë lekë plus. Por nëse nuk kanë aplikuar deri më 15 qershor, sanksioni do të jetë i rëndë. “Sanksionet do të jenë shumë të qarta nëse paratë tërhiqen dhe karta nuk merret. Shuma do të mbahet nga pensioni i ardhshëm”, u shpreh Berisha. Pas marrjes së këtyre masave për shtresat në nevojë, kryeministri Berisha komentoi edhe kërkesat e opozitës për pajisjen e qytetarëve me dokumenta identitetit. “është një kërkesë e opozitës dhe më vjen mirë që ajo e gjen të plotësuar. Opozita vazhdon me kritika, por ky është një problem i tyre”, u shpreh Berisha. Mesa duket këto janë edhe masat e fundit për lehtësimin financiar të disa kategorive, të cilat janë të vlefshme deri më 15 qershor. Deri në këtë datë, dy javë para zgjedhjeve, qeveria besohet se do të lërë në fuqi vendimin për të mos lejuar aplikimin e personave me pasaportë.