Tiranë | Rama: në polici ndryshim në moshë dhe mendësi

“Të dyfishojmë pranimet në Policinë e Shtetit dhe të bëhen 1 mijë”, kërkoi sot Kryeministri Edi Rama, duke shtuar që 50% të jenë vajza dhe 50% djem. Sot po zhvillohet konkursi për pranimet në shkollën e Policisë, ku marrin pjesë rreth 10 mijë aplikantë, 1400 nga të cilët janë vajza, nga ku do të dalin fitues një mijë prej tyre. Në ceremoninë e rastit, zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Rama u vlerësua numri i lartë i aplikimeve për të studjuar në këtë shkollë. Ai tha se beteja për më shumë siguri dhe progres në vend kërkon një transformim rrënjësor të strukturës së Policisë së Shtetit përmes rritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor. “Ne synojmë që Policia e Shtetit Shqiptar sot, që është policia me moshën më të vjetër mesatare në Europë dhe rajon, në një kohë të shpejtë të ketë një moshë mesatare më të re, të krahasueshme me të gjithë rajonin dhe Europën, për të qënë një vend normal”, tha Rama në fjalën e tij. Me gjithë respektin për më të moshuarit, vijoi ai, Policia nuk mund të jetë streha e atyre që presin të dalin në pension dhe as vendi për të marrë asistencë sociale ata që nuk bëjnë dot një punë tjetër. “Ky është vendi i vajzave e djemve, i grave e burrave më kurajozë, më të vendosur e më patriotë dhe ky është qëllimi për t’i dhënë shqiptarëve, një orë e më parë, Policinë e Shtetit që ata meritojnë, bashkë me shtetin që ditë pas dite do ta ndërtojmë të gjithë së bashku, si një shtet europian në mes të Europës ku jetojmë”, nënvizoi Rama. Kryeministri theksoi se reforma në Policinë e shtetit nuk mbaron asnjëherë dhe e ilustroi këtë me rastin e Francës, një vend me tradita shumë të vjetra, dhe ku së fundi ka nisur një reformë rrënjësore për të modernizuar policinë, në funksion të sigurisë, e cila nuk është asnjëherë e dhënë njëherë e përgjithmonë. “Ne nuk duhet të harrojmë që nga njëra anë shteti modernizohet dhe nga ana tjetër po ashtu dhe krimi modernizohet, policia nga njëra anë reformohet, nga ana tjetër krimi reformohet, policia sofistikohet, krimi po ashtu, trajnohet e specializohet. Dhe në mes të të dyjave krimi është më i shpejtë, ndaj dhe sfida mbetet gjithmonë e hapur si në Francë dhe SHBA, por sidomos këtu në Shqipëri”, tha kryeministri Rama. Ai theksoi se në vetëm 6 muaj shifrat flasin për një rënie të krimit, duke nisur nga vrasjet e deri tek drogat. ”Nëse kemi pasur reagime të krimit ato janë reagime të një kriminaliteti që po goditet si asnjëherë më parë, janë reagime të atij që po provon forcën për të kuptuar se çfarë po ndodh realisht. Sundimi i ligjit përmes policisë së shtetit e ka bërë krimin që në momente të caktuara të shfaqet më agresiv. Vrasjet e ndodhura shumë herë janë larje hesapesh mes kriminelësh, para se ata të gjenden pas hekurave. Sigurisht, janë krime, vepra të patolerueshme e të pështira por janë një tjetër shenjë se krimi po e ndjen se koha e sundimit të tij në rrugët e Shqipërisë, koha e nëpërkëmbjes nga ana e tij e uniformës së policisë dhe koha e lidhjeve të tij me kupolën e lartë të policisë ka marrë fund”, deklaroi Kreu i Ekzekutivit. Policia, theksoi Rama, është trupa që ka filluar të krijojë besim tek qytetarët.

Advertisement