Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi parimisht projektligjin “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”. Projektligji, që ka synim kryesor të ofroj sigurim shëndetësor të veçantë për rreth 500 punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Forcave me rrezikshmëri të lartë, si Forcat “RENEA”, apo “FNSH”, u shoqërua me diskutime nga anëtarët e komisionit lidhur me kostot dhe modalitet e jetësimit të këtij projekti. Zv/ Ministrja e Brendshme tha se në Pr/ligjin e paraqitur janë marrë parasysh të gjitha ndryshimet e kërkuara nga deputetët e të gjitha palëve. “Projektligji ka në fokus atë pjesë të Policisë së Shtetit që ka rrezikshmërinë më të lartë. Kontraktimi i një kompanie e cila do të menaxhonte trajtimin shëndetësor të këtij grupi policësh është një e mirë që duhet të na bashkoj të gjithëve. Kosto e realizimit të këtij projekti është 90 mijë dollar, apo 9 240 000 lekë, mesatarisht 18 500 lekë për person, që është një kosto shumë herë më e vogël se ajo që paguan aktualisht shteti shqiptar për këto shërbime”, theksoi Gjebrea. Ministri i Shëndetësisë nga krahu tjetër prezantoi ndryshimet që janë parashikuar në pjesën e kontrollit falas për këtë kategori personash. “Kjo kompani që do ofroj policën e sigurimit për çdo punonjës të strukturave speciale operacionale, do të mbuloj shpenzimet për kontrollin parandalues, diagnostifikimin dhe kurimin, të ofruara sipas rasteve nga institucione shëndetësore brenda dhe jashtë vendit. Sa i takon parandalimit, Beqja, tha se në këtë kategori do të përfshihet Check-up vjetor për çdo punonjës policie, pra analiza e gjakut, provat e zemrës dhe respiratorë, në këtë grup do të kenë shërbime falas të gjitha ata shtetas që janë mbi 40 vjeç”, theksoi Ministri i Shëndetësisë. Sa i takon, diagnostifikimin, Beqja tha se në këtë kategori janë parashikuar si kontrolle ECO barku dhe zemre, Rezonancë manjetike apo PET skaneri, ndërsa sa i takon Kurimit, është parashikuar Transporti me avion sanitar dhe Trajtimi në institucionet shëndetësorë jashtë vendit deri në riaftësim”, përfundoi Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Deputeti i Partisë Demokratike, ish-Ministër i financave, Ridvan Bode e vlerësoi si të pavlefshëm pr/ligjin, pasi sipas tij në vendin tonë është Fondi i sigurimeve shëndetësore që ka në tagrat e tij nënshkrimin e marrëveshjeve shëndetësore, prandaj ish-Ministri i Financave propozoi kthimin mbrapsht të pr/ligjit dhe ngritjen e një diskutimi mbi zgjerimin e kompetencave të Fondit të sigurimeve shëndetësore. Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Stërkaj nga krahu tjetër vuri në dukje se një pr/ligj i tillë është shumë i rëndësishëm për shëndetin e policëve, edhe pse sipas tij duhet parë në sy realiteti.

Advertisement