Tiranë | Shtyhet mbledhja e komisionit, kreu i SHISH pa çertifikatë sigurie

Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi u paraqit për të raportuar në komisionin e Sigurisë, pa çertifikatën e vlefshme të sigurisë. Kjo u konsiderua e paligjshme nga ana e deputetëve të mazhorancës, të cilët kërkuan ndërprerjen e mbledhjes dhe shtyrjen e saj në një moment tjetër, deri sa kreu i SHISH të pajiset me çertifikatën e nevojshme. Pas mbledhjes së ndërprerë, kryetari i komisionit, Spartak Braho duke informuar mediat pohoi se kryetari i SHISH nuk kishte çertifikatë sigurie dhe se po punon për pajisjen me këtë dokument. Sekretari i komisionit të Sigurisë, deputeti i PS-së, Taulant Balla, shpjegoi se sipas ligjit, kur paraqitet një informacion i klasifikuar mbledhja duhet të zhvillohet vetëm në prani të personave të pajisur me çertifikatë sigurie. Tematika e seancës së sotme dëgjimore në komisionin e Sigurisë përfshinte raportimin vjetor të kreut të SHISH për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2013. Çështje të tjera për të cilat do të informonte z. Ajazi ishin bashkëpunimi mes Shërbimit Informativ dhe Ministrisё sё Brendshme, për sigurinë dhe rendin në vend, e kёrkuar nga deputetët e opozitës; informacion për problematikёn e ngritur nё media pёr shkeljen e ligjit në emërimet e kreut tё SHISH, si dhe një informacion lidhur me përmbajtjen e shkresёs ‘sekret’, dërguar drejtorёve tё SHISH nё prefektura, ku kërkohet informacion per personat e implikuar nё veprimtari antiligjore, tё emëruar nё pozicione drejtues nё Policinё e Shtetit.

Advertisement