Tiranë | Fullani: Bankat të ulin interesat e kredive

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i kërkoi të premten bankave tregtare të ulin interesat e kredive për biznesin. Në Forumin e organizur sot nga Banka e Shqipërisë, me drejtues të 16 bankave tregtare që operojnë në vendin tonë, Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, tha se “bankat kanë hapësira për të menaxhuar më mirë kostot e tyre, veçanërisht ato të sigurimit të fondeve në valutë të huaj”. Guvernatori Fullani i bëri apel bankave kryesore të sistemit, për mosshfrytëzim të mjaftueshëm të hapësirave që kanë krijuar masat e Bankës Qendrore për nxitjen e kreditimit. Në fjalën e tij, Guvernatori bëri publike disa nga gjetjet e auditimit të sistemit financiar që u krye nga Banka Botërore. Rezulatet treguan se cilësia e sistemit bankar shqiptar është mbi nivelin mesatar, por bankat duhet të bëjnë përmirësime domethënëse në disa drejtime, duke filluar nga cilësia e burimeve njerëzore. Fullani paralajmëroi nisjen e shpejtë të proçesit të pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë e humbura, pa shpresë kthimi. Ky proçes është një nga kushtet e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Për lehtësimin e këtij proçesi, po ndërmerren edhe ndryshime në legjislacionin tatimor dhe në kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë.Politika monetare më stimuluese se kurrë është reflektuar në rënien historike të interesave të bonove të thesarit dhe të depozitave bankare, ndërsa ka pasur një reflektim më të ulët në interesat e kredive. Banka e Shqipërisë uli dje normën bazë, duke e zbritur në nivelin 2.75%, më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Ulja ishte e papritur, duke pasur parasysh dy uljet e njëpasnjëshme të normës bazë në Nëntor dhe Dhjetor.

Advertisement