Tiranë | Haxhinasto dhe Sequi: Siguria rrugore prioritet

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, deklaroi se siguria rrugore mbetet prioritet i qeverisë dhe se vendosja e standardeve europiane është domosdoshmëri për të gjitha llojet e transportit. Gjatë konferencës së organizuar në Tiranë për sigurinë rrugore, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, Haxhinasto theksoi se qeveria duhet të rrisë përgjegjësinë dhe të ndërgjegjësojë qytetarët, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe rrugëve. “Janë rritur investimet për sigurinë rrugore në buxhet. Kemi një paketë masash ligjore dhe operative. Do ndërhyhet në kode, në ligj, me qëllim që të rrisim ndërgjegjësimin e publikut. Të përgatisim siç duhet drejtuesin e mjetit, sepse ai është shkaku kryesor i aksidenteve. Sistemi do të jetë “corruption proof” (i imunizuar ndaj korrupsionit). Reformë do të bëhet në mënyrën e çertifikimit të automjeteve, duke e bërë dhe këtë proçes “corruption proof”, pra që të mos ketë çertifikime që vijnë nga korrupsioni, nga blerja e tyre.”, tha Haxhinasto. Ndërkaq ambasadori i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, u shpreh se Bashkimi Evropian vlerëson ambicien e qeverisë dhe ministrisë për të vënë në prioritet dhe axhendë një ndër problemet e Shqipërisë, që është siguria rrugore. “Këmbësorët janë ata që preken nga aksidentet. Numri i aksidenteve rrugore është shumë i lartë. BE do të asistojë qeverinë dhe të gjitha masat për sigurinë. Duhet të kuptojmë se siguria dhe promovimi i saj janë qasje mendore, e si të tilla duhen kuptuar”, tha ambasadori Sequi. Ministri Haxhinasto iu përgjigj edhe protestës së drejtuesve të taksive 8+1. “S`do të ketë kthim prapa, pasi qeveria është e vendosur për të rritur sigurinë rrugore”.

Advertisement