Tiranë | PD: 10 ditëshi i Tahirit për të larguar vëmëndjen nga aksidentet e shtuara

Partia Demokratike e cilësoi vendimin e fundit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për dënimin me 10 ditë burg për shoferët që përdorin alkool gjatë drejtimit të mjetit, si një veprim për të larguar vëmëndjen dhe përgjegjësitë nga aksidentet e shtuara në rrugë. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi, u shpreh të martën se “Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, zbuloi sot Amerikën, kur tha se do të eliminojë aksidentet në rrugë, duke e bërë dënimin minimal për shoferët e dehur, me 10 ditë burgim”. Referuar deklaratës zyrtare, dënimi minimal për shoferët që kapen të dehur është 5 ditë, sipas Kodit Penal, ndërsa ministri Tahiri, dënimin me 5 ditë kërkon ta bëjë 10 ditë. “Ministri duhet të tregojë se sa shoferë të dehur janë ndaluar deri tani dhe sa janë dërguar në prokurori për procedim penal. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje qesharake dhe e dënueshme për të larguar vëmendjen dhe përgjegjësitë nga aksidentet e shtuara në vend, nga numri i rritur i viktimave në rrugë dhe nga paaftësia e Ministrit për të bërë reformat e duhura”, përfundon deklarata e selisë blu. Më herët, ministri i Brendshëmm, Saimir Tahiri dhe ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, prezantuan paketën e masave për rritjen e sigurisë rrugore në vend. Masat parashikojnë ndryshime ligjore, në ashpërsimin e ndëshkimeve deri në 10 ditë burg për drejtuesit e mjeteve që përdorin alkool dhe drejtojnë mjetin pa leje drejtimi, si dhe ndalimin e transportit të udhëtarëve me mjete tip furgona.

Advertisement