Kosovë | Thaçi: Njohja e Kosovës do të ishte kontribut i paqes dhe stabilitetit në rajon

Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, në Këshillin e Sigurimit mbrëmë tha se “Republika e Kosovës do të festojë 6 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së saj, të njohur tashmë nga 105 vende prej të gjitha kontinenteve të botës”. Kryeministri Thaçi tha se “marrëveshja e 19 prillit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hapur kapitullin e ri të bashkëpunimit dhe paqes së ndërsjellë. Dialogu, që është ende duke vazhduar, tashmë ka prodhuar rezultate të prekshme për shtetin tonë, si në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ashtu edhe në avancimin e integrimeve evropiane për Kosovën”. Ndërsa, shtoi se bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal është më se i nevojshëm, sepse nuk mund të ketë luftë të suksesshme kundër dukurive negative si terrorizmi, krimi i organizuar, trafikimet, korrupsioni, pa një koordinim dhe bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv. Thaçi ritheksoi vlerësimin se në këto 6 vite Republika e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran ka shënuar progres të rëndësishëm, si në konsolidimin e brendshëm ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar, se ka ndërtuar shoqëri multietnike dhe me institucione demokratike dhe si rezultat është bërë faktor i paqes dhe eksportues i stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, zhvilloi mbrëmë seancën ku u diskutua raporti rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, i pari i 2014-ës, ku vlerësohet se 2013-ta ishte një vit i progresit të konsiderueshëm politik falë një lidershipi dhe zotimi të Beogradit dhe Prishtinës, që kulmoi me marrëveshjen historike të 19 prillit. Në rekomandimet për vitin 2014, Ban Ki Moon thotë se duhet të vazhdojnë përpjekjet për konsolidimin e këtyre arritjeve të rëndësishme drejt stabilitetit, prosperitetit dhe një pajtimi rajonal.

Advertisement