Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë sot në homazhet në nderim të figurës së Artistit të Popullit, violinistit, z. Ibrahim Madhi, që u zhvilluan në mjediset e Akademisë së Arteve. Në një prononcim për mediat, z. Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohshme nga jeta të “Artistit të Popullit” dhe ka vlerësuar trashëgiminë e lënë pas nga Madhi. “Dua të shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të ‘Artistit të Popullit’, z. Ibrahim Madhi. Një gjeni i violinës dhe i shkollës së harqeve. Një personalitet i muzikës sonë, i kulturës sonë dhe me këtë rast shpreh solidaritetit e madh për familjen tij, por edhe për të gjithë komunitetin e artistëve dhe shpreh bindjen se ai ka lënë një trashëgimi mjaft të çmuar për të cilën do të kujtohet gjithmonë”, tha Kryetari i Kuvendit. Z. Meta shprehu bindjen se me veprën e tij dhe kontributin e tij do ta vazhdojnë përfaqësues dinjitoz e virtuoz të violinës dhe të shkollës së harqeve, të cilët Madhi i ka pasur studentë. “Jam i bindur se me veprën e tij, kontributin e tij, po e vazhdojnë dhe do ta vazhdojnë përfaqësues shumë dinjitoz dhe virtuoz të violinës dhe të shkollës së harqeve, të cilët i ka pasur studentë dhe i ka edukuar me dashurinë, talentin dhe pasionin e tij, të cilët sot shkëlqejnë në Shqipëri , por edhe në botë. Me këtë rast, sot jemi pranë familjes të artisti të madh dhe të paharruar z. Ibrahim Madhi”, shtoi Kryetari i Kuvendit. Ndërkaq, z. Meta theksoi se talente të tilla do të mbeten gjithnjë pikë referimi për të ardhmen dhe se duhet bërë akoma më shumë për këto figura të paçmueshme të trashëgimisë kulturore. “Jemi pranë botës së muzikës dhe kulturës. Jemi pranë publikut i cili është i tronditur për këtë humbje të parakohshme. Njëkohësisht, shpreh bindjen se talente të tilla, në sajë të veprës dhe kontributit të tyre mbeten gjithmonë pika referimi edhe për të ardhmen dhe e theksoj se trashëgimia e tij është mjaft e vyer. Ne duhet të bëjmë akoma më shumë për këto figura, sepse nuk janë figura të zakonshme dhe trashëgimia kulturore nuk ka çmim dhe nuk ka vlerë, por ajo është e jashtëzakonshme”, përfundoi prononcimin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Advertisement