Tiranë | Kuvendi miraton ngritjen e komisionit për Reformën Territoriale

Arkiv

Kuvendi miratoi me 75 votat e deputetëve të maxhorancës dhe pa praninë e opozitës projektvendimin “për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”. Para votimit të pr/vendimit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, propozoi që emrat e anëtarëve të komisionit të miratohen në seancën e ardhshme, për t’i dhënë mundësi dhe opozitës të sjellë propozimet e saj. Kjo e fundit nuk ishte e pranishme në votim, pasi i bojkotoi më herët punimet e seancës së sotme. Propozimi i z. Ruçi u mbështet dhe nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili hodhi në votim pr/vendimin, për përmbajtjen e të cilit, siç tha ai, nuk ka pasur kontestime nga opozita. “Ne do ta miratojmë këtë pr/vendim, sepse e vërteta është se nga opozita nuk ka pasur asnjë kontestim për përmbajtjen e tij. Pr/vendimi i garanton asaj (opozitës) të drejtën për të qënë e barabartë në këtë proces, jo vetëm përmes bashkëkryetarit, por dhe me numrin e barabartë të anëtarëve, si nga ana e opozitës dhe nga ana e maxhorancës. Përderisa nuk ka pasur asnjë kontestim për të dhe nuk ka asnjë ndryshim në përmbajtjen e pikave ne do të shprehemi me votë për ngritjen e tij”, deklaroi Meta. Para votimit të pr/vendimit, kryeparlamentari, duke komentuar mungesën e konsensusit për këtë çështje në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, tha se kontestimi i opozitës lidhet me qëndrimet e saj politike. “Dje, në Konferencën e Kryetarëve grupi i PD-së nuk kontestoi asnjë pikë të këtij pr/vendimi që i jep opozitës të gjitha të drejtat maksimale në mënyrë të barabartë. I jep të drejtën e bashkëkryesimit, të drejtën e përfaqësimit të barabartë(tetë me tetë), i garanton konsensusin dhe i jep të drejtën e vetos. Kontestimet e saj kanë qënë për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me qëndrimet e saj politike, sikurse ishte dhe bojkotimi i sotëm, i panevojshëm dhe i paarësyeshëm i seancës”, deklaroi kryetari i Kuvendit në mbyllje të punimeve të sotme të parlamentit.

Advertisement