“Alarmante” e ka cilësuar kryeministri Edi Rama situatën në sistemin e shpërndarjes së energjisë në vend, të shkaktuar nga niveli i lartë i humbjeve dhe abuzimeve. Duke folur në mbledhjen e Task-Forcës për Energjinë, që u zhvillua sot në ambientet e Kryeministrisë, ai theksoi se “ndërhyrja është e domosdoshme në këtë fushë jetike, për të sotmen dhe të nesërmen e vendit që sot është e minuar dhe nesër kërcënon të kthehet në fushën e një fatkeqësie kombëtare në rast se nuk bëjmë atë që na takon”. Rama argumentoi vlerësimin e tij për situaën në sistemin e shpërndarjes së energjisë me shifra konkrete. Siç tha ai, “91% e kontratave të abonentëve familjarë dhe 88 % e atyre të biznesit, rezultojnë me borxhe ndaj sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndërsa në dhjetor të vitit 2012 humbja e energjisë në rrjet kapi shifrën 55.46 %”. Kreu i ekzekutivit vlerësoi me rëndësi kyçe procesin e stopimit të abuzimit, bashkëpunimin mes strukturave shtetërore, të cilat, sipas tij, nëpërmjet përgjegjësive përkatëse ligjore duhet të frenojnë atë çka ai e cilësoi “hajdutëri”, abuzimin e individëve, bizneseve e sidomos institucioneve shtetërore me energjinë elektrike. “Kjo task-forcë, e cila do të drejtohet nga Zv.kryeministri Niko Peleshi, ka detyrim që të vendosë të gjitha stukturat e shtetit në shërbim të një misioni shumë të qartë, kthimin e grafikut të frenimit të humbjeve dhe të vjedhjes, në një grafik në rënje të vazhdueshme dhe transformimin e kësaj krize të thellë në një stituatë normale”, tha kreu i Qeverisë. Ndërsa e cilësoi fenomenin në fjalë një problem të trashëguar qeveri pas qeverie, ai tha se kjo përbën një ndër sfidat më të mëdha të qeverisë së tij për këtë mandat 4-vjeçar. “Kërkohet një ndërhyrje vendimtare, jo një aksion që fillon sot dhe mbaron siç kanë mbaruar aksionet e kësaj natyre, por një punë sistematike e pandalshme që do të shtrihet deri në fund të mandatit të qeverisë sonë”, theksoi ai. Duke iu referur borxheve të trashëguara që vet institucionet shtetërore në cilësinë e konsumatorit kanë ndaj sitemit të shpërndarjes së energjisë dhe efektit që përcjell ky fenomen në publik, Kryeministri tha se marrëdhënja e qytetarëve me shtetin sot konsiderohet një fushë tërësisht e minuar, përderisa vet shteti deri para pak muajsh nuk paguante faturat e energjisë elektrike. “Çfarë mund të kërkojë një qeveri nëse nuk respekton asnjë detyrim ligjor në këtë fushë. Institucionet buxhetore kanë pasur 5.5 miliard borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes dhe ky borxh arrin 7.6 miliard lekë duke përfshirë edhe institucionet jobuxhetore”, tha Rama, ndërsa akuzoi qeverinë paraardhëse se “legalizoi papërgjegjshmërinë koletive të shoqërisë ndaj sistemit elektroenergjitik në Shqipëri. Ai tha se Task-Forca nuk do ta fillojë aksionin nga shtresa në nevojë apo biznesi, por pikërisht nga vetja, duke marrë përgjegjësinë e plotë, të shlyejë të gjitha borxhet që shteti përmes qeverisë dhe institucioneve i ka sistemit të shpërndarjes. Teksa falenderoi qytetarët e rregullt në pagesat e faturave të energjisë elektrike, Kryeministri u shpreh besimplotë se institucionet ligjore do të kryejnë detyrën e tyre, duke ndëshkuar çdo kundravajtës të ligjit që guxon të vjedhë energjinë elektrike.