Tiranë | Lirohet kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu

Gjykata e Apelit pas një seance me dyer të mbyllura gjatë mesditës së sotme, ka vendosur zyrtarisht masën e sigurisë me “Detyrim Paraqitje” për Xhelal Mziun, kreun e Bashkisë së Kamzës, pas rekursit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ku iu dha arrest me burg. Gjykata e Apelit e Tiranës e argumentoi lirimin e Mziut se, “nuk ekzistojnë shkaqet dhe rrethanat për ta mbajtur kryebashkiakun në qeli”, ndërsa qindra qytetarë, të afërm dhe punonjës së Bashkisë së Kamzës e kanë pritur me brohoritje jashtë dyerve të kësaj Gjykate, vendimin e sotëm të këtyre të fundit. Më parë, avokati i 46-vjeçarit Mziu, Genc Gjokutaj brenda afateve ligjore, kishte paraqitur kërkesën për apelim (ndryshim) të masës së sigurisë, duke mos pranuar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila kishte caktuar pas arrestimit të tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, duke e akuzuar Mziun për shpërdorim detyre dhe pabarazi në tender. Xhelal Mziu, u akuzua për shkelje në tenderin e rrugës “Valias i Ri – Laknas”, ku sipas burimeve nga organi i akuzës, Bashkia e Kamzës kishte akorduar një fond prej rreth 800 milionë lekësh, duke s’kualifikuar një ofertë tjetër me vlerë më të vogël se oferta fituese (200 milionë lekë më pak). Arrestimi i Mziut, Kryebashkiak i Kamzës i zgjedhur më 18 shkurt 2007 dhe sërish për të dytën herë më 2011, erdhi pas një hetimi të gjatë nga Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës. Hetimet nisën në muajin gusht 2013, ndërsa akuzat e para zyrtare nga Prokuroria u regjistruan në periudhën Tetor-Nëntor 2013, duke sjellë arrestimin e tij më 20 Dhjetor 2013 nga Policia e Tiranës në një lokal pranë Gardës së Republikës.

Advertisement