Durrës | Ndalohen shtatë të rinj, trafikonin drogë drejt Italisë

Foto Arkiv

Policia e Durrësit sekuestroi mbrëmë 115.3 kg lëndë narkotike e llojit Kanabis Sativa, ndërsa arrestoi 7 të rinj dhe shpalli në kërkim dy të tjerë. Të arrestuar janë Sajmir Zotkaj, Ismir Plaku, Gazmir Baruni, Viktor Shkurti, Geris Agasi, Orges Shqopa, dhe Francesko Selishta, të moshës 27, 22 dhe 19 vjeç, që të gjithë nga Durrësi. Të përfshirë në këtë grup kriminal janë edhe dy të rinj nga Elbasani, të shpallur tashmë në kërkim. Lënda narkotike, vlera e së cilës në tregun italian kap vlerën e 120.000 Euro, u gjet mbrëmë në dy automjete “Volsvagen Polo” dhe “Peugeot”. Nga hetimet e deritanishme mësohet se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës dhe pasi kryenin blerjen, me anë të 4 automjeteve, e transportonin atë drejt Durrësit, për t’a depozituar në dy banesa në zonën e plazhit, ku kryhej edhe paketimi i lëndës narkotike. Më pas, me anë të mjeteve të rënda të transportit të mallrave, droga përcillej me traget drejt Italisë, e më pas drejt Bergamos dhe Milanos.Në realizimin e këtij operacioni, i cili ka nisur dy muaj më parë, është bashkëpunuar ngushtë edhe me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë.

Advertisement