Partia Demokratike reagoi në lidhje me statistikat e publikuara nga Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për treguesit e kriminalitetit në vend për muajin dhjetor 2013. Në një deklaratë për media, deputeti i PD-së, Arben Ristani u shpreh se “gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen t’i mbushin mendjen popullit se reforma e tyre në Policinë e Shtetit po e kthen këtë të fundit në institucion demokratik, transparent dhe në gjendje të parandalojë dhe luftojë krimin. Gënjen veten Ministri dhe Kryeministri i tij, kur përpiqen ti mbushin mendjen popullit se treguesit e kriminalitetit janë në rënie dhe për këtë flasin vetëm për muajin dhjetor dhe vetëm për natën e ndërrimit të viteve duke dhënë vetëm përqindje të pa lexueshme për të fshehur të vërtetën”. “Vetëm në ditët e fundit të dhjetorit kanë ndodhur 4 grabitje me armë shumë afër kryeqytetit, dhe asnjë autor nuk është zbuluar nga policia. Krimi ka goditur policinë në detyrë deri brenda në komisariat. Qysh se Tahiri është bërë Ministër, është dyfishuar sasia e drogave të forta që shkon në vendet fqinje, Itali e Greqi nga Shqipëria”, tha Ristani. Ristani gjithashtu publikoi edhe disa statistika për t’i ballafaquar me ato të minitrit Tahiri. Lidhur me rekrutimin e policivë të rinj, Ristani shprehet se, “realiteti është krejt tjetër nga sa paraqet Ministri. Në fund të dhjetorit, një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ka hequr nga lista e pritjes rreth 500 kandidatë për policsë, të cilët i kanë fituar të gjitha fazat e konkursit të monitoruar nga ICITAP, dhe ishin në pritje të hapjes së vendeve të reja. Thirrja e Tahirit për aplikime deri më 20 janar, është demagogji dhe farsë, pasi është e qartë se rekrutimet do të bëhen nga zyrat e Partisë Socialiste sipas interesave të kësaj force politike për të vënë nën kontroll total Policinë e Shtetit”.

Advertisement