Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali tha se Administrata Doganore mblodhi 6 miliardë lekë më shumë në tremujorin e 4 të vitit 2013, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012. Në një konferencë për shtyp Spiropali tha se dhjetori i vitit 2013 rezulton të jetë muaji më i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave në historinë e doganës, me 16.5 miliardë lekë të arkëtuara, dhe me një realizim rekord të parashikimit financiar prej 129 %. Në dhjetor të vitit 2013, informoi Spiropali, administrata doganore ka arkëtuar për shtetin shqiptar 4.2 miliardë lekë më shumë se në dhjetor 2012. “Në 3-mujorin tetor-nëntor-dhjetor 2013 janë arkëtuar rreth 6 miliardë lekë më shumë se në të njëjtët muaj të vitit paraardhës, u shpreh Spiropali. Sipas saj, kjo do të thotë më shumë para në buxhetin e shtetit, më shumë shkolla, spitale, investime dhe vepra publike. Këto arritje të tre muajve të fundit, sipas Spiropalit, nuk janë rastësi. “Në zbatim të frymës së re të qeverisjes, si rezultat i një serie masash të ndërmarra në vazhdimësi në fushën organizative si dhe në atë të luftës antikorrupsion, duke prerë dhe ndëshkuar lidhjet korruptive brenda sistemit doganor u arrit të ndalohej kurba rënëse e sistemit dhe të rivendoset stabiliteti”, nënvizoi. Spiropali. DPD, tha ajo, ka reformuar një pjesë të madhe të administratës duke marrë masa për zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e ashpër të korrupsionit, deri në nivelet më të larta të administratës. Drejtorja e DPD-së u shpreh se janë evidentuar shkelje të Kodit Doganor apo ligjeve të akcizës me penalitete deri në 2 miliardë lekë. “Për të gjitha shkeljet e evidentuara dhe raportuara nxisim Prokurorinë të veprojë dhe mbetemi shpresëplotë se ky institucion do të kryejë deri në fund detyrën që i ngarkon ligji, për të dhënë shembullin e ndëshkimit dhe për të shmangur në të ardhmen abuzime nga individë apo grupe me pushtet që dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit”. deklaroi ajo. Sipas Spiropalit, krahas realizimit të të ardhurave veçanërishtt në 3 muajt e fundit DPD i ka kushtuar një rëndësi të veçantë forcimit dhe intensifikimit të marrëdhënieve të biznesit, në të gjthë territorin e vendit. Një pjesë e problematikave të ngritura në këto takime janë zgjidhur, vijoi Spiropali dhe disa janë bërë pjesë e paketës fiskale të vitit 2014, por shumë mbetet për t’u bërë dhe zgjidhur në vazhdim, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit. Kjo periudhë e fundit të vitit, shtoi më tej Spiropali, u karakterizua edhe nga një veprimtari intesive në fushën e marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe me administratat doganore homologe të Kosovës, Italisë, Malit të Zi, Francës, Maqedonsë, etj. Ky bashkëpunim, tha Spiropali, ka si pikësynim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimit të informcioneve. Njëkohësisht, informoi Spiropali, është intensifikuar bashkëpunimi me Bashkimin Europian, përmes projektit të IPA-s të binjakëzimit për shkëmbimin e eksperiencës dhe modernizimin e sistemit doganor. “Jemi besimplotë se bashkëpunimi me kompaninë britanike “Croën Agents” do të jetë një shtysë për ngritje kapacitetesh të qëndrueshme dhe përmirësim të mëtejshëm të administratës doganore,” theksoi Spiropali. Ajo e konsideroi vitin 2014, si një vit sfidash kryesisht për lehtësimin e përshpejtimin e tregtisë së ndershme dhe parandalimin e shkeljeve doganore.

Advertisement